TIRANE- Edhe opozita shprehet pro një ligji për “Lustracionin” i cili rëndom quhet dhe ligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Deputetja demokrate, dhe një ndër veprimtaret kryesore të lëvizjes së Dhjetorit ’90 Mesila Doda shprehet për gazetën se është shumë e rëndësishme që politika të diskutojë dhe të mbështesë vetëm një draft. “Dosjet duhen hapur për të mbyllur të gjitha llogaritë me të shkuarën dhe për të ndërtuar të ardhmen. Ditët në vazhdim do të kemi mundësi të konsultojmë draftin e ligjit të përgatitur nga shoqëria civile dhe të veprojmë në përputhje me misionin tonë për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.

Të gjitha procedurat dhe vendimmarrjet do të bëhen me dije në vazhdim sapo të kemi në duar draft-ligjin e propozuar. Mendoj se është e kotë të humbasim energji dhe kohë me drafte paralele sepse e vetmja gjë që do të arrihej në këtë rast është që do të ngecej dhe njëherë procesi”, ka qenë deklarata e Mesila Dodës për gazetën “Shqiptarja.com”. Ajo thotë se duhet një ligj i cili të jetë i pranuar nga të gjithë.

“Na duhet një ligj i mirë, i konsultuar dhe i pranuar nga aktorët vendas dhe partnerët e huaj. E mbi të gjitha, një ligj që të lejonte që në këtë vend të kishte zë drejtësia dhe e vërteta”, është shprehur Doda. Deputetja Doda është zëri i parë brenda opozitës së djathtë që kërkon sërish një ligj për ‘Lustracionin’, pas rrëzimit nga Kushtetuesja të ligjit në vitin 2010. Njëherësh shoqëria civile ka një projektligj, i cili përjashton dhe figurat aktuale të politikës, përfshirë Berishën, Meidanin, Gjinushin etj, të cilët gjatë periudhës së diktaturës kanë pasur funksione partiake dhe shtetërore. Ja.Ma

 Shkrimi u publikua sot (27.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)