/ATSH/-Në bashkinë e Rafinës, nën kujdesin e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, është zhvilluar ceremonia e çeljes së klasës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Aktivitetin e hapi Nënkryetari i Federatës, Anastas Kosdine, si iniciator i hapjes së klasave të gjuhës amtare në këtë zonë, i cili falënderoi autoritetet lokale të bashkisë së Rafinës për mirëkuptimin dhe mbështetjen e dhënë, duke krijuar lehtësirat e nevojshme për të mundësuar hapjen e klasave të reja.
Të pranishëm në aktiviteti ishin edhe kryetari i bashkisë së Rafinës Vasilis Distikidis Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, kryetari i nderit i Lidhjes së mësuesve të gjuhës shqipe, LMSHG, Jovan Mëhilli dhe kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, Etmond Guri.
Ambasadori Dervishi, në fjalën e tij, ka vlerësuar përkushtimin e mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe për mësimin e gjuhës amtare brezit të ri, si një mision që kontribuon në ruajtjen e traditave e zakoneve, vlerave kulturore e historike të vendit tonë.
Në këtë mision fisnik, vlerësoi ai, mësueset kanë pasur e kanë gjithë mbështetjen e Ambasadës, si dhe atë të Federatës e gjithë shoqatat e tjera të komunitetit shqiptar në Greqi, pa harruar edhe mbështetjen e autoriteteve zyrtare e lokale greke, të cilat gjej rastin t'i falënderoj.
Kryetari i Bashkisë së Rafinës,Distikidis, shprehu gatishmërinë e tij për t'iu gjendur pranë mësuesve në misionin e tyre të rëndësishëm, por edhe gjithë komunitetin shqiptar që jeton në bashkinë që ai drejton, si një komunitet që ka një kontribut të veçantë në ndërtimin e zhvillimin e zonës periferike të Rafinës