Një mësues me përvojë të gjatë në arsim humbi jetën papritur, pasi dyshohet se pësoi një infarkt në zemër. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Marjan të Maliqit.

Alban Bejleri kishte rreth 30 vite eksperiencë në arsim dhe prej afro 5 vitesh shërbente në fshatin Marjan, një zonë e thellë e bashkisë Maliq. Ai përshkonte çdo ditë në këmbë një distancë prej 16 kilometrash (vajtje-ardhje), për të dhënë mësim, edhe pse në shkollë kishte vetëm dy nxënës.

"Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpakë, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë si janë. Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e vunë në punë, e çuan në zonën e Maliqit. Ishte i sëmurë nga diabeti. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja që e sollën tani. U bëj thirrje të gjithë politikanëve, që personat që janë të sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve. Kini mendjen dhe mendoni për këta njerëz, për edukatorët. Ishte njeri me dy universitete dhe ishte pa punë. Kishte 5-6 vjet në punë. Ai nuk ankohej kurrë, bënte rreth 7 km larg nga shkolla, si në ardhje, ashtu edhe në kthim. Vinte vetëm për dy nxënës. Kryeplaku thoshte se Albani ishte njeri i përsosur", tregon xhaxhai Besim Bejleri", tregon xhaxhai Besim Bejleri.

Familjarët shprehen se ai ishte një njeri i përkushtuar, i qetë dhe punëtor, i cili nuk ankohej kurrë për vështirësitë. Nga ana tjetër kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta nga familjarët dhe të afërmit, të cilët akuzojnë politikën për vendimet që, sipas tyre, e çuan drejt kësaj tragjedie.

Edhe kolegët e tij e përshkruajnë si një profesionist të përkushtuar, që përballej çdo ditë me vështirësi të mëdha infrastrukturore dhe fizike për të ushtruar profesionin. Ai udhëtonte deri në zonën e Lozhanit dhe më pas vazhdonte rrugën në këmbë drejt fshatit ku jepte mësim.

"Albani bën pjesë në komunitetin pedagogjik dhe është nga një familje mësuesish. Ka qenë një mësues i përkushtuar, ka dhënë maksimumin e tij në punë dhe ka përballuar vështirësi fizike që e çuan deri në këtë pikë. Kalonte vështirësi për shkak të rrugës dhe distancës. Shkonte çdo ditë deri në Lozhan dhe më pas vijonte në këmbë. Ka rreth 4-5 vite, ndoshta edhe më shumë, në këtë rutinë. Nuk kishte probleme kardiake, por ishte me diabet. Ai më thoshte se ka pasur raste kur bllokohej rruga dhe nuk e prisnim. Jeta i ka këto", thotë mësuesi Endri Fifo.

Kushëriri i mësues Alban Bejlerit thotë se viktima asnjëherë nuk tregonte për vështirësitë që haste për rrugën që përshkronte në këmbë.

“Ishte njeri i rregullt. E bënte çdo ditë rrugën.Ikte në orën 7 dhe vinte kur mbaronte mësimin. Është babai i dy fëmijëve, vuante nga diabeti. Nuk më tregonte për vështirësitë që kishte”, thotë kushëriri tij Muharrem Meka

 “E mora vesh lajmin nga telefoni. Ishte i djathtë, prandaj e çuan atje. Kishte shumë vite në arsim. Ikte në këmbë, bënte 8 km rrugë”, thotë shoku Myfit Staro.

Të afërmit bëjnë thirrje për më shumë kujdes nga institucionet ndaj punonjësve të arsimit, veçanërisht atyre me probleme shëndetësore, duke kërkuar që të jenë më pranë familjes dhe në kushte më të përshtatshme pune.

Lajmi në përditësim...

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Partia: 17/04/2026 12:39

    Mesjetë

    Përgjigju
  • Mesuesi: 17/04/2026 12:04

    Per te tille heronjsh kemi nevoje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 16 Prill, 10:55

    A e keni siguruar banesën tuaj kundër zjarrit?