Mësuesit e Shqipërisë janë renditur ndër vendet me rezultatet më të larta pozitive në testimin ndërkombëtar TALIS ku marrin pjesë 55 vende të OECD.

I ftuar në ceremoninë ku u bënë publike të dhënat e këtij testimi, ku mësuesit shqiptarë kanë dalë me rezultate pozitive, Kryeministri Edi Rama shprehu krenarinë për ta.

“Erdha këtu me një kënaqësi të veçantë sepse është një lajm shumë i mirë për prindërit që në një anketim ndërkombëtar për mësimëdhënie dhe të nxënit mes 55 sistemeve arsimore në BE, në Europën përtej BE, përfshirë dhe vende jashtë BE, mësuesit tanë kanë dalë mirë dhe patjetër që kjo është merita e tyre, por është edhe një pasqyrë e përpjekjes që kemi bërë së bashku. Dhe besoj edhe e mbështetjes që ne jemi përpjekur t’i japim mësuesve në vazhdimësi në të gjitha drejtimet. Kjo anketë është një anketë shumë sfiduese e cila e thënë në mënyrë banale është anketa PISA për mësuesit, ndërkohë që PISA është për nxënësit. Dhe meqënëse në të gjitha shkallët e anketës rezultatet kryesore për Shqipërinë reflektojnë motivim të mësuesve, dëshirë për profesionin, besim në zhvillimin e aftësisë së nxënësve dhe konkretisht të gjitha këto në shkallën e formimit fillestar, në zhvillimin e vazhduar profesional, sigurisht që nuk kemi arsye pse të ndjehemi në vështirësi për të qenë krenar. Përkundrazi, ndihem krenar për ju, për gjithë mësuesit e Shqipërisë, për faktin që në një anketim kaq sfidues kemi dalë me rezultatet domethënëse pozitiv”, tha Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se rezultatet pozitive të testimit ndërkombëtar për mësuesit e Shqipërisë, janë një tregues i qartë, sipas tij, i reformave të bëra ndër vite në sistemin arsimor shqiptar.

“Ka disa të dhëna pozitive shumë inkurajuese edhe përsa i përket objektivave që kemi duke pasur parasysh nevojën për të nxitur më tutje teknologjinë, patjetër që është shumë inkurajuese që mesatarja e mësuesve tanë që kanë lidhje me përdorimin e teknologjisë është më e lartë se sa mesatarja e të gjithë sistemeve të marra së bashku në këtë anketim. Po ashtu na vjen mirë të shohim që përpjekjet që kemi bërë për partneritetin mes shkollës, prindërve dhe nxënësve duke nxitur modelin e shkollës qendër komunitare por dhe ndërveprimin, reflektohet si një element më pozitiv se mesatarja e sistemeve të anketuara”.

Shqipëria doli me sukses në testin ndërkombëtar TALIS, Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit, ku mësuesit shqiptarë renditen mirë në klasifikimin e vendeve të OECD.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:34
Rama batuta me mësuesit: E kuptoj sa e vështirë është të përballesh me ‘çerrat’ e sotëm, vijnë në shkollë me ‘shokun’ në xhep (VIDEO)

Duke folur për vështirësitë me të cilat përballen mësuesit për të edukuar brezin e ri, kryeministri Edi Rama shkëmbeu edhe disa batuta me mësuesit. Rama tha se e kupton vështirësinë e tyre për tu përballur me “çerrat e sotëm”, duke iu referuar nxënësve. Rama tha se sot “çerrat” kanë shumë informacione të paorientuara dhe shkojnë në shkollë me “shokun”, duke iu referuar celularit.

“E kuptoj vështirësinë për tu përball me ato çerrat që janë një gjë tjetër komplet nga çfarë kemi qenë ne, unë dhe ju që jeni më të rinj se unë. Nga koha kur kërkoja nëpër sallë bashkëmoshatarë të rinj si puna ime për të luftuar me të vjetrit, sot kërkoj nëpër sallë ndonjë bashkëvuajtës si puna ime që numëron fijet e flokëve të cilave u ka humbur edhe ngjyra. Krahasimi me çerrat sot është i vështirë, se çerrat sot kanë informacion shumë më tepër, por shumë më të pakontrolluar dhe të paorientuar edhe vijnë në shkollë me një shok në xhep, që e fshehin si të munden e sa të mundem, ndërkohë që sa dalin nga shkolla me atë shokun fillojnë e bëjnë një jetë tjetër që s’ka lidhje me atë çfarë u thoni ju, apo u themi të gjithë bashkë kur na futen nëpër shtëpi”, tha Rama.

Ora 15:20
Rama: Sot mësuesi i paprekshëm, i rikthyem autoritetin! Më parë nuk kishin garanci për vendin e punës

1760101274_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e PS i ktheu autoritetin mësuesve. Rama tha se kur erdhën në pushtet, autoritetin e mësuesve e gjetën të lënduar, por sot situata ka ndryshuar. Më parë, vendi i punës së mësuesit lidhej me partinë në pushtet, tha Rama, duke theksuar se sot kanë garanci totale për vendin e punës pavarësisht bindjeve politike që mësuesit kanë.

“Ne besojmë tek ju, kemi besuar tek ju edhe para se ky anketim të tregonte në mënyrë shkencore që ju meritoni të gjithë besimin dhe respektin e shoqërisë, ndryshe nga çfarë mund të duket nga larg. Rivënia në vend e autoritet të mësuesit është sfidë e madhe, një autoritet që e gjetëm shumë të lënduar, nga koha, nga politizim i tejskajshëm i sistemit, nga fakti që mësuesit nuk kishin asnjë garanci për vendin e punë, të gjitha i kishin të lidhura me partinë në pushtet. Sot është praktikë e konsoliduar, ju jeni të paprekshëm pavarësisht bindjeve tuaja politike”, tha Rama.

Ora 15:19
Ministrja Kumbaro prezanton rezultatet e testit TALIS: Shqipëria ka arritur tregues pozitivë mbi mesataren

1760102775_mirelakumbaro.png

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar rezultatet e testit ndërkombëtar TALIS për mësuesit shqiptarë, anketim ku janë përfshirë 55 shtete.

Mësuesit shqiptarë kanë dalë me rezultate pozitive në këtë testim, duke u renditur ndër vendet e para.

Ministrja Kumbaro zbuloi se 98% e mësuesve shqiptarë kanë deklaruar që mësuesia ka qenë zgjedhja e tyre e parë.

“Është shumë kënaqësi të ndaj me ju rezultatet e anketimit ndërkombëtar Talis, anketa është realizuar falë pjesëmarrjes tuaj dhe kolegëve tuaj në gjithë vendin. Shqipëria ka arritur tregues pozitivë dhe shpeshherë edhe mbi mesataren 55 vendeve të OECD. Kemi një larmishmëri të madhe gjeografike të kontinentit.

Sipas përgjigjeve të 4029 mësuesve që kanë marrë pjesë dhe 282 drejtorëve të shkollave ky studim i kryer në gjysmën e parë të 2024 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga kolegia Ogerta Manastirliu, dua ta falenderoj me gjithë zemër bashkë me të gjithë ju, për lidershipin dhe krijimin e një atmosfere të mirë.

Ndihemi shumë mirë kur shohim se 98% e mësuesve shqiptarë deklarohen se mësuesi ka qenë zgjedhja e tyre e parë në karrierë, ndërsa 85% e mësuesve të rinj pohojnë se e kanë zgjedhur si profesion të parë mësuesinë. Ndërkohë që mesatarja është 58%. Shumica juaj nuk janë rastësisht në këtë pozicion, në këtë profesion, por e keni zgjedhur me zemër”.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se deri në përfundim të mandatit, qeveria synon që në të gjitha shkollat e vendit të jenë instaluar 1000 laboratorë inteligjentë, nga 340 që janë aktualisht.

“96% e mësuesve deklarojnë se trajnimet kanë pasur ndikim real në përmirësimin e mësimdhënies. Ministria e Arsimit do vijojë të ofrojë trajnime për gjithë mësuesit.

340 laboratorë inteligjentë janë instaluar në shkolla, për t’i bërë 1000 të tillë në përfundim të këtij mandati. Një tjetër gjetje e Talis është që Shqipëria renditet e para në Europë me 80% të mësuesve deklarojnë se vendosin zhvillimin emocional të nxënësve në qendër të punës së tyre.

98% e mësuesve shqiptarë janë të kënaqur me profesionin e tyre që kanë zgjedhur, ndërsa vetëm, 3% e mësuesve përjetojnë nivelet të larta stresi, por është më i ulëti krahasuar me masataren prej 19% të vendeve të OECD. Sot 83% e mësuesve besojnë se nxënësit i vlerësojnë dhe respektojnë ata. Shumë më lart se mesatarja e vendeve të OECD. 95% e mësuesve pranojnë se shkolla i ofron stafit mundësi për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje. Këto rezultate na tregojnë që vëmendja në arsim e gjithë këtyre viteve po japin frytet e tyre. Është puna e përditshme e reformave të 12 viteve”, u shpreh ministrja e Arsimit.