Ditën e sotme u zhvillua takimi mes qeverisë dhe FSHF-së për rikthimin e normalitetit, pas pezullimit të futbollit në Shqipëri. Palët hodhën disa propozime për të dënuar tifozët që do të hyjnë në fushën e blertë. Ndërkohë që për të shmangur mësymjen e tifozëve në fushë, Rama ka propozuar një zgjidhje origjinale.
Kreu i qeverisë ka propozuar që të lyhen shtyllat me graso që të mos ngjiten tifozët. "Nga eksperienca jonë, futini ndonjë graso shtyllave që të mos ngjiten nëpër shtylla dhe ja…U bë në Angli që e kishin më vete ligën e huliganëve dhe u bënë stadiumet opera" tha Rama.
Edhe në protestat e fundit të opozitarëve ka pasur disa raste kur simpatizantë të PD-së apo LSI-së janë ngjitur në shtylla. Në tryezën e përbashkët qeveri-FSHF Kryeministri Rama ka bërë disa propozime konkrete për ndryshime në Kodin Penal në mënyrë që në stadiumet shqiptare të mos ketë në dhunë.
Kryeministri ka bërë disa propozime konkrete duke theksuar se duhet një status i vecantë për spektatorin dhe se ai tifoz që kalon rrethimin e stadiumit dhe futet në fushë të dënohet me 3 vite burgim dhe të përjashtohet përjetë nga stadiumet.