TIRANE- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti sot në një takim në selinë e partisë kryetarin e Partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë”, Ali Ahmeti. Tema e bisedimit është fokusuar në zhvillimet pas-zgjedhore në Shqipëri dhe mbi situatën politike në Maqedoni.
 
Ahmeti ka uruar Metën për fitoren në zgjedhjet parlamente të 23 qershorit. Ndërsa nga ana e tij, Meta i shprehu Ahmetit angazhimin e tij se do të përkrahë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Kreu i LSI tha se “më 23 qershor janë hedhur hapa të rëndësishëm për të avancuar më shpejt edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, veçanërisht në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe”.
 
Gjithashtu kreu i LSI-së, dha mbështetjen e tij edhe për çështjen e emrit dhe për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.
 
Në këtë kuadër, Meta shprehu mbështetjen e plotë për proceset euro-atlantike dhe integruese të Maqedonisë dhe ndau bindjen me Ahmetin se zgjidhja sa më e shpejtë e çështjes së emrit të vendit përmes mbështetjes dhe strukturave ndërkombëtare, do të kontribuonte ndjeshëm jo vetëm në mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por edhe në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të gjithë rajonit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)