Dhe menjëherë sapo ndodhi kjo gjë gjithçka u kthye në të kundërt. Madje, për herë të parë zbuloi që Holandën e bëri skeptike Edi Rama, Ilir Meta, e kështu me radhë”, tha Meta. Ai shprehet konkretisht në lidhje me rastin e kërkesës për largimin e ambasadorit holandez Henk Van Den Dool. “Berisha harron se zv.ministri i tij në kohën kur ky ishte Kryeministër kërkoi shpalljen “non-grata” të Ambasadorit të nderuar të këtij vendi në atë kohë. Inkoherenca të tilla janë të dëmshme e kërcime të tilla pindarike, kur bëhet fjala për një çështje kaq të rëndësishme, janë të papranueshme”, deklaroi Meta. I cili ka garantuar se qeverisja e majtë do të vazhdojë reformat sikurse është shprehur dhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Integrimit, Ministri i Jashtëm, sikurse janë shprehur të gjithë, sepse kjo shumicë reformat i bën në radhë të parë për qytetarët shqiptarë.
Kreu i Kuvendit në mbledhjen e kryesisë së LSI s’ka munguar të shprehet dhe për inkoherencën e Berishës në lidhje me pengesat për statusin. “Ajo që më ka habitur është inkoherenca e ish-aleatit tim, z.Berisha për çështjen e statusit, sepse për tre vjet ne dëgjuam fjalime pa fund ndaj albanofobëve të Evropës, që pengonin marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë dhe kemi pak ditë që po dëgjojmë fjalime e një retorikë të paparë kundër eurofobëve të Tiranës, përfshirë dhe mua që po flas këtu. Ndërkohë që, është për të ardhur keq që me eksperiencën e tij të gjatë në politikë, mund të ishte shumë më i përmbajtur e shumë më konstruktiv, sepse ne kemi qenë koherentë, kemi qenë koherentë kur kemi qenë në koalicion me PD”, tha Meta.
Ai nënvizoi se janë koherentë dhe sot që janë në koalicion me PS. “Kemi qenë gjithëpërfshirës duke synuar edhe më parë për të vlerësuar dhe inkurajuar opozitën e dikurshme për të qenë pjesë e procesit. Kemi qenë e jemi dhe sot mjaft vlerësues dhe të hapur e bashkëpunues me opozitën që këtë përgjegjësi të madhe për integrimin evropian të vendit ta ndajmë së bashku”, tha Meta. Duke i bërë thirrje Berishës të jetë koherent në qëndrime.
Ish-zv.ministri Spahia
Ish-zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia ka thënë se Shqipëria duhet të shpallë “non grata” ambasadorin holandez në Tiranë Henk Van Den Dool. “Pavarësisht se homoseksualizmi tek ne s’gëzon mbështetje publike e shikohet me neveri, gjoja në emër të emancipimit shoqëror dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga qarqe të caktuara po bëhen përpjekje intensive që ky fenomen i dëmshëm të përhapet në mënyrë të dhunshme dhe në vendin tonë. Në këtë kontekst veçojmë qëndrimet e Ambasadorit Holandez në Tiranë, Henk Van Den Dool, që më shumë se çdo gjë po shqetësohet për hallin e homoseksualëve.
Është e drejtë e ambasadorit të shprehet për çështje që prekin personalisht, por ai s’duhet të dalë jashtë rolit e statusit diplomatik e të lëshojë fyerje ndaj deputetëve e zyrtarëve të vendit ku shërben, siç bëri në intervistë. Etiketimi që ambasadori i Holandës u bëri deputetëve e zyrtarëve të lartë shqiptar mu në vendin ku shërben është një incident i rëndë diplomatik e fyerje e dinjitetit të shtetit dhe institucioneve që s’mund të tolerohet. Prandaj, PLL kërkon që ambasadori aktual holandez të shpallet person i padëshirueshëm, non grata, dhe të largohet nga Shqipëria", deklaroi më 15 maj 2912 Ekrem Spahia.
Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)