Në intervistën e parë pas një periudhe pushimesh kryetari i LSI i rikthehet edhe njëherë çështjeve politike të lëna pezull, administratës, qeverisë së re, por edhe Partisë Demokratike

Në Shqipëri sa herë ka zgjedhje administrata mban frymën z. Meta. Çfarë do të ndodhë me administratën publike?
Kjo është për të ardhur keq. Unë mendoj se këtu kemi një politizim të tepruar të këtyre çështjeve, sepse kam dëgjuar vazhdimisht edhe kryetarin e zgjedhur të PD-së, z. Basha, i cili të gjithë fushatën e tij në garën për kreun e PD-së e mbështeti te mbrojtja që do t’u bëhej njerëzve që do të largoheshin nga puna pa u hequr akoma. Ndërkohë, që në Bashkinë e Tiranës të gjithë ata që ishin emëruar atje nga LSI-ja, vetëm drejtorët kanë dhënë dorëheqjen dhe ishte deri diku normale dhe etike, por edhe shumë elementë të tjerë që nuk ishin në nivele të tilla u paragjykuan dhe u hoqën nga puna dhe ne nuk u ankuam shumë për këtë çështje. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë të ankohen, por mendoj se këtu ka një teprim të madh. Për arsye sepse ne kemi disa kolona të qëndrueshme në administratën tonë. Është e vërtetë se në diplomaci ka teprime me emërime politike në raportet e ambasadorëve të karrierës, por të mos harrojmë se në pikat më kyçe të diplomacisë ne kemi krijuar një traditë shumë të mirë prej gati 15 vitesh në Bruksel në Bashkimin Evropian, në NATO e në shumë kryeqytete të tjera, ne kemi diplomatë të cilët kanë shërbyer me të gjitha qeveritë. Me qeveri të majta apo me qeveri të djathta. Po kështu edhe në shumë elementë të tjerë, për shembull edhe në rastin e Ministrisë së Financave. Ne kemi shumë elementë që kanë qenë drejtorë në qeverisjet e mëparshme të së majtës, janë drejtorë aktualisht në pikat e rëndësishme të administratës dhe shumë institucione të tjera. Apo ekipet që janë marrë me integrimin. Pra, është ruajtur një nivel ekspertize. Po kështu kemi një legjislacion sa i takon administratës së shërbimit civil. Në këtë drejtim unë besoj se reforma në administratë nuk nënkupton sikurse ka një tendencë nga drejtues të Partisë Demokratike për një revansh për spastrime dhe emërime të karakterit politik. Por, nënkupton ndryshime në strukturë, ndryshime në prioritete, por mbi të gjithë nënkupton një ritëm të ri dhe një vazhdimësi të kapaciteteve më të mira që vendi ka në administratë dhe janë shumë të tilla. Në rast se nuk kanë dhënë maksimumin e duhur dhe në rast se edhe politika nuk ua ka kërkuar apo nuk ka ditur t’i motivojë për të dhënë maksimumin e duhur, aq më tepër sa u takon proceseve integruese të Shqipërisë absolutisht që ruajtja e kësaj ekspertize dhe motivimi i saj është një domosdoshmëri, sepse është një përvojë, një eksperiencë. Unë e përmenda se edhe Lenini kur mori pushtetin tha se këta që kanë qenë dhe kanë punuar me regjimin e vjetër, do t’i mbajmë sepse këta do të na bëjnë punën. Pra, edhe në nivel pragmatizmi. Aq më tepër që unë mendoj se kjo nuk është thjesht pragmatizëm, por këtu ka një ndërgjegjësim dhe Partia Demokratike në pamundësi për të analizuar shkaqet reale të kësaj situate në të cilën ajo ndodhet natyrisht që mendon se mund të mobilizohet duke u ankuar për gjëra që nuk kanë ndodhur dhe për fat të keq ajo mendon se të tjerët do të veprojnë siç ka vepruar edhe ajo në shumë raste, që unë mendoj se do të zhgënjehet.  Pra, nuk ka një dëshirë dhe një frymë për të bërë spastrim sepse kjo nuk është normale kur ne flasim për rritjen e punësimit, flasim për investime, për të hapur fabrika që të punësojmë njerëzit, nuk flasim që të hiqen disa demokratë dhe të vijnë socialistë, të LSI-së apo socialdemokratë etj., sepse ky nuk është interesi i madh i publikut. Mund të jetë interesi i madh i individëve të caktuar, i grupeve të caktuara, por interesi i vendit është që të shtohen vendet e punës, ndërkohë që administrata të jetë sa më e mbrojtur nga ndryshimet politike.

Si e shikoni Partinë Demokratike pa kryetar Sali Berishën, apo ai është ende në opinionin tuaj?
Në opinionin tim vazhdon të jetë.

Vazhdon të jetë për peshën e tij apo se z. Basha nuk e ka ende staturën e kryetarit?
Vazhdon të jetë, sepse ka qenë për 23 vjet dhe aq më tepër protagonizmi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Duket edhe në këtë situatë verore, ku ka protagonizëm nga gjithë ne të tjerët, jo vetëm nga z. Basha dhe nga drejtues të tjerë të Partisë Demokratike. Kjo është diçka që ka të bëjë edhe me natyrën e tij. Por, për ne nuk është e rëndësishme se cili do të jetë pozicioni, e rëndësishme është që ai të jetë koherent me angazhimet dhe kontributet që ka dhënë deri më tani në mënyrë që për hir të një rezultati që për mua do të ishte më se i pritshëm, rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe të një humbjeje e cila duhet pranuar se është shumë e thjeshtë  për të gjetur alibi.

Si e gjykoni faktin që ai e mori përgjegjësinë e humbjes?
E mori, por pastaj kërkoi hapjen e kutive. Pra, e kam fjalën që është e rëndësishme të ruajë një koherencë dhe koherenca ka të bëjë me angazhimin dhe kontributin e tij si një politikan i rëndësishëm në Partinë Demokratike duke qenë se do të jetë edhe në grupin e saj parlamentar,  që kjo parti të orientohet pozitivisht për të ardhmen. Pra, përsa i takon integrimit evropian të vendit, të ketë një sjellje sa më konstruktive, sa më bashkëpunuese.

Si e shikoni Partinë Demokratike me z. Basha në krye të saj?
Nuk e përfytyroj dot ende, për arsye se, ende duket sikur vazhdon z. Berisha, qoftë edhe për inerci, t’i japi tonin drejtimit apo komunikimit të Partisë Demokratike edhe me opinionin publik. Sigurisht që ai ka sfida shumë të mëdha përpara dhe shumë të vështira. Unë nuk kam ndërhyrë gjatë fushatës së dy kandidatëve të Partisë Demokratike, pavarësisht se pati një dëshirë të madhe për të përfshirë LSI-në në problemet e tyre. Unë kam pasur raporte shumë të mira me të dy kandidatët dhe gjithë përfaqësuesit e Partisë Demokratike në qeverisjen e vendit, jo vetëm me z. Berisha, të cilat kanë qenë të bazuara tek korrektesa dhe tek bashkëpunimi. Por, absolutisht që detyra kryesore e z. Basha nuk është që të krijojë këto zyrat për të mbrojtur anëtarët apo militantët e Partisë Demokratike që nuk janë hequr nga puna, sepse nuk ka sesi të hiqen nga një qeveri e cila akoma nuk ka filluar punë. Por, duhet ti japë një vizion të ri kësaj force politike dhe të sjellë një opozitë të standardeve të reja në vendin tonë, sepse për të sjellë një opozitë të standardeve të vjetra, natyrisht që kjo nuk është një risi dhe po të ishte kështu, nuk kishte as pse të ndërrohej kryetari i Partisë Demokratike, sepse atë opozitë z. Berisha di ta bëjë më mirë se z. Basha.

Në biseda informale që dëgjojmë mes njerëzve, shpesh dëgjojmë një shprehje që ‘ne nuk kemi shtet’.  A i garantoni votuesve që do të punoni si mazhorancë e ardhshme qeverisëse për të forcuar ndërtimin e një shteti ligjor në vend dhe transparent me qytetarët? 
Kjo është shumë e rëndësishme sepse është një shqetësim i madh qytetar mosfunksionimi i ligjit siç duhet dhe funksionimi i ligjit nuk është se ka të bëjë thjesht me partitë që janë në pushtet apo që janë në opozitë, por ka të bëjë me gjithë funksionimin e institucioneve, të gjykatave, ka të bëjë me shumë aktorë të rëndësishëm dhe në këtë drejtim absolutisht që ligji duhet të jetë ai që duhet të prevalojë mbi çdo raport apo mbi interes tjetër politik apo personal qoftë ai. Dhe për këtë qeveria, mazhoranca, deputetët duhet të jenë të parët që duhet të japin shembullin në respektimin e ligjit dhe në pranimin e superioritetit të ligjit mbi çdo lloj pushteti tjetër. Besoj se mbetet ende shumë për të bërë, prandaj jo më kot edhe të gjithë raportet ndërkombëtare kërkojnë forcimin e ligjit dhe mendoj se ky do të jetë një prioritet i parë dhe kryesori qeverisë, sepse pa forcimin e zbatimit të ligjit nuk mund të arrihen as ato rezultate që ne besojmë se do të japim në fushën e ekonomisë, në fushën e zhvillimit, të investimeve. Dhe unë natyrisht besoj në radhë të parë në transparencën, e cila do të bëjë të mundur që vetë institucionet të forcojnë llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht të rritet pushteti i tyre ndaj politikës sepse në këtë mënyrë mendoj se rritet edhe pushteti i ligjit në këtë vend.     
 
Marrë me shkurtime nga ABC NEWS
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)