ERSEKE – “Ne besojmë te vullneti i qytetarëve shqiptarë për të thënë një “po” të fortë për rotacionin, ndryshimin më 23 qershor”, - ka deklaruar sot, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nga rrethi i Kolonjës, ku ka prezantuar sot kandidatin për deputet të kësaj force politike, Arben Malo.

“Ne jemi në këtë Aleancë për Shqipërinë Evropiane, sepse besojmë se është koha për një drejtim të ri për vendin, është koha të ecim me shpejt”, - tha ai. – “Duke votuar për LSI-në në radhë të parë ju votoni që të rikthehet vëmendja e shtetit dhe qeverisë në Kolonjë. Ka një forcë madhore që është më e fortë se cilitdo prej të gjithëve politikanëve së bashku, që është koha. Edhe koha tani kërkon një tjetër dinamikë dhe një tjetër vizion.

KOLONJA E BRAKTISUR PER LLOGARI TE NGUSHTA ELEKTORALE

Kryetari i LSI-së shprehu keqardhjen që rrethi i Kolonjës është braktisur përfundimisht nga kjo qeveri dhe për një kohë të gjatë e në mënyrë sistematike për shkak të paragjykimeve dhe llogarive të ngushta elektorale, duke qenë se kjo zonë ka përkrahur tradicionalisht të majtën.

“Në rast se ka një rreth në Shqipëri që mund të thuhet pa e tepruar aspak se është braktisur përfundimisht nga kjo qeveri dhe për një kohë të gjatë e në mënyrë sistematike, ky është rrethi i Kolonjës”, - shtoi ai. – “Kjo ndodh për arsye të paragjykimeve dhe për arsye të llogarive të ngushta elektorale. Paragjykimeve sepse Kolonja është një rreth që tradicionalisht ka përkrahur të majtën dhe për arsye të ngushta elektorale, sepse Kolonja për shkak të kësaj braktisjeje ka humbur një pjesë të madhe të popullsisë së saj, e cila ka shkuar në qytete të tjera apo ka emigruar jashtë vendit. Ndaj edhe interesi i qeverisë gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka qenë për të bërë diçka për Kolonjën, që këtu njerëzit të mos ikin, por ka qenë për të bërë investime në disa komuna të caktuara që kanë më shumë votues në qarkun e Korçës. Dhe kjo është e gabuar, nuk është e drejtë, nuk është sociale, nuk është njerëzore dhe nuk është e moralshme”, - u shpreh Meta.

"ÇDO VOTE E JUAJA, DETYRIM I IMI DHE I ARBEN MALOS"

Në fund, lideri i LSI-së deklaroi se e para që duhet kthyer në Kolonjë është vëmendja e qeverisë, gjë që do të bëhet realitet duke votuar për Arben Malon dhe për LSI-në.

“Çdo votë që ju do të jepni për LSI-në, është një detyrim i imi në radhë të parë dhe i Arben Malos në radhë të dytë me të gjithë ju dhe popullin e Kolonjës, shtoi ai. Ne besojmë se mundësitë janë të mëdha, por e para që duhet kthyer në Kolonjë është vëmendja, është prioriteti dhe natyrisht duke votuar për LSI-në, duke votuar për Arben Malon ju keni atë që ne të jemi në borxh me ju dhe t’ua kthejmë këtë përmes kujdesit, përmes vëmendjes, përmes mbështetje dhe përmes investimeve”, përfundoi Kryetari i LSI-së.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)