Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë Nikolaos Chountis dhe Kretari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta gjatë takimit të sotëm
TIRANË, 23 Shkurt / ATSH - Klajdi Musabelliu/ - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në një takim ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqise, Nikolaos Chountis, i cili ndodhet ne Tiranë në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (SEECP).
Meta pasi e uroi Chountis për detyrën e re si dhe për kabinetin e ri qeveritar në Greqi, theksoi se suksesi dhe stabiliteti i Greqisë është sukses dhe stabilitet për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin tonë.
Po ashtu, Meta vuri në dukje se "Shqipëria e konsideron Greqinë si një partner të rëndësishëm strategjik në rajon dhe në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit fqinj në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë".
Ndërsa, ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Nikolaos Chountis, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Tiranë, nënvizoi se Greqia mbetet e angazhuar për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, duke vënë në dukje lidhjet e forta tradicionale e miqësore mes dy vendeve fqinje.
Gjithashtu, Chountis theksoi se "qeveria e re greke e ndjek përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit me vëmendje të veçantë, duke i konsideruar marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë kuadër si shumë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit".
Kretri i Kuvenit të Shipërisë, Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm Plotësues, Nikolaos Chountis, ndanë gjatë takimit bindjen e përbashkët se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve fqinje dhe miqësia tradicionale mes popujve tanë duhet të konsolidohen edhe më tej, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërparlamentare në këtë kontekst.
/k.m//a.ke/








