GJIROKASTER- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka reaguar në lidhje më deklaratat nacionaliste që janë bërë kohët e fundit nga politikanët shqiptarë. Duke folur nga Gjirokastra Meta u shpreh se deklaratat patriotike janë jashtë kontekstit ku jetojmë dhe zhvendosin debatin nga problemet ekonomike dhe sociale të vendit.

“Kohët e fundit keni dëgjuar që ka filluar edhe një garë e jashtëzakonshme për deklarata patriotike apo nacionaliste e kështu me radhë. Janë tërësisht jashtë kontekstit në të cilin ne jetojmë dhe jashtë sfidave që ne kemi si shoqëri. Të jesh patriot do të thotë të sakrifikosh për interesat e vendit dhe sot interesi i vendit është që të ngrihemi mbi interesat e vogla, qofshin ato edhe të partive që përfaqësojnë dhe të plotësojmë ato detyrime që kërkon Bashkimi Europian dhe që plotësojnë aspiratën e të gjithë shqiptarëve për t’u integruar sa më shpejt në Europën e Bashkuar.

Përpjekjet për ta zhvendosur debatin nga problemet ekonomike, nga problemet sociale, nga punësimi, nga përkujdesja sociale në tema të cilat janë një mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësive, detyrave që ka çdo politikan dhe çdo forcë politike për të zgjidhur problemet që kanë qytetarët, absolutisht jam i sigurt se nuk do të meritojë vëmendjen dhe mbështetjen e qytetarëve, përkundrazi do të meritojnë ndëshkimin e tyre sepse ne nuk kemi nevojë as të nxisim urrejtje midis njëri-tjetrit, nuk kemi ndonjë interes as të nxisim urrejtje as me fqinjët dhe me askënd tjetër”, u shpreh Meta.

Kreu i LSI-së ka akuzuar klasën politike si shkaktaren kryesore për mosmarrjen e statusit kandidat për në BE. Sipas Metës anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i pashmangshëm.

“Jam i bindur se asnjëherë nuk është vonë për të bashkëpunuar dhe në rastin konkret më mirë vonë sesa akoma më vonë dhe çdo reflektim për të votuar tre ligjet do të ishte përsëri një mesazh pozitiv drejtuar vendit por drejtuar edhe partnerëve tanë europianë” tha Meta.

Më tej Meta ka bërë edhe një apel për bashkëpunim në rrugën drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Apeli im nga Gjirokastra, ashtu sikurse i gjithë mesazhi i LSI-së gjatë gjithë kësaj periudhë ka qenë: Të bashkëpunojmë për të plotësuar këtë detyrim që është i të gjithë shqiptarëve, nuk është i njërës apo tjetrës forcë politike. Të mos e vonojmë Shqipërinë asnjë minutë më shumë se sa është vonuar në historinë e saj për të qenë vërtet një vend i barabartë me vendet dhe kombet e tjera të qytetëruara të Europës. Shqiptarët e meritojnë këtë, sepse gjirokastritet dhe gjirokastritet e meritojnë këtë sepse kjo është rruga për të përmirësuar standardet e shoqërisë sonë, por edhe jetesën e çdo familjeje gjirokastrite në Shqipëri” u shpreh kreu i LSI-së.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)