Meta: Disa subjekte promovojnë
destinacione të huaja,dëmtojnë tonat

Meta: Disa subjekte promovojnë<br />destinacione të huaja,dëmtojnë tonat
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në hapjen e punimeve të Asamblesë së 25-të të Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Detit Mesdhe (AMAN).
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit deklaroi se vendet e rajonit të Mesdheut kanë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë për zhvillimin e turizmit. 

Duke e cilësuar Mesdheun si një nga rajonet më tërheqëse në botë, me një bukuri natyrore të jashtëzakonshme, me një pasuri të trashëgimisë kulturore nga më të veçantat dhe nga më të rëndësishmet, Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe nevojës për të kuptuar rëndësinë e stabilitetit, rëndësinë e sigurisë, rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të mos e cenojnë më tej shfrytëzimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm për zhvillim, për mirëqenie, në interes të gjithë qytetarëve.

“Sot kur bota po përjeton procesin e globalizimit, është e qartë që konkurrenca nuk zhvillohet më apo nuk është e përqendruar më midis vendeve fqinje, apo mikro-rajoneve fqinje, por është duke u zhvilluar midis rajoneve më të mëdha dhe në këtë kuptim, ne duhet ta konsiderojmë edhe Mesdheun si një rajon të përbashkët ku fryma e bashkëpunimit, fryma e mirëkuptimit, duhet të dominojë. Dhe në këtë drejtim mediat kanë një rol të jashtëzakonshëm për të luajtur në aspektin pozitiv”, - tha Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e madhe që ka media dhe turizmi për të përmirësuar komunikimin midis popujve, sidomos të atyre që kanë patur probleme në të kaluarën me njëri-tjetrin. “Deri nga viti ’97-’98, Mali i Zi, i cili ishte pjesë e Jugosllavisë, dhe dihen raportet e Shqipërisë me Jugosllavinë në të kaluarën dhe problemet që ka patur populli shqiptar në Kosovë dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi, gjë që ndikonte që raportet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi të konsideroheshin apo të përjetoheshin, të perceptoheshin si marrëdhënie jo miqësore, por si marrëdhënie më shumë armiqësore. Por vetëm në dy tre vjet, për shkak të heqjes së vizave, për shkak të komunikimit, për shkak të zhvillimit të turizmit, ky perceptim u përmbys krejtësisht dhe marrëdhëniet jo thjesht të Shqipërisë me Malin e Zi që janë të shkëlqyera, pra midis institucioneve, qeverive, parlamentareve, por marrëdhëniet midis njerëzve, midis shqiptarëve dhe malazezëve janë të jashtëzakonshme”, - shtoi Meta. 

Gjithashtu, Meta theksoi rëndësinë që ka turizmi, komunikimi dhe media për të përmirësuar klimën dhe perspektivën e marrëdhënieve midis vendeve.
“Shohim që ka media në Shqipëri që për shkak të interesave të kompanive të caktuara të cilat kanë interes për të promovuar turizmin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përhapin lajme dizinformuese dhe keqinformuese për standardet e turizmit në Shqipëri, për problemet e cilësisë të detit, të ujit të pijshëm, e kështu me radhë, me qëllim për të frikësuar turistët shqiptar apo të tjerë për të bërë pushimet e tyre në Shqipëri dhe për t’i bërë ato në vende të tjera në mënyrë që të përfitojnë këto agjenci. Është shumë e rëndësishme që të theksojmë që mediat duhet të jenë objektive gjithmonë. Ne nuk themi të fshehin realitetin, të fshehin të vërtetën, përkundrazi. Sepse realiteti dhe e vërteta është një mjet për të adresuar probleme dhe për të përmirësuar kushtet e zhvillimit të turizmit. Por dua të theksoj rëndësinë që kanë mediat në të dyja rastet, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në këtë drejtim ne besojmë në përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë tuaj në pasqyrimin objektiv të këtij aktiviteti, në promovimin e potencialeve të gjithë rajonit dhe të gjithë vendeve tona”, - vijoi Meta, duke shtuar se ky duhet të jetë dhe është një nga fokuset kryesore të këtij bashkëpunimi. 

Më tej, Kryetari i Kuvendit tha se lufta pozitive për të tërhequr sa më shumë turistë në rajonin tonë ndihmon të gjitha vendet tona dhe çdo promovim pozitiv i potencialeve të vendeve tona respektive, është një kontribut që secili prej nesh jep edhe për vendin e tij.

Gjithashtu, Meta shtoi se krahas përmirësimit të imazhit të gjithë rajonit, mbrojtja e mjedisit është një sfidë e jashtëzakonshme në rajon sepse cenimi i mjedisit është një kërcënim për zhvillimin e turizmit në të ardhmen. 

“Është mjaft e rëndësishme të rriten kapacitetet e çdo vendi në mbrojtjen e mjedisit, por njëkohësisht duhet një bashkëpunim dhe një transparencë më e madhe midis vendeve të rajonit. Sepse në rast se një vend ndjek një politikë të papërgjegjshme, kjo nuk dëmton vetëm detin apo mjedisin në atë vend, por e dëmton edhe më gjerë, gjë që kërkon patjetër që të gjitha vendet tona të respektojnë detyrimet ndërkombëtare dhe të bashkëpunojmë që të kemi një standard sa më të larë të ruajtjes, të mbrojtjes dhe të zhvillimit të mjedisit si një garanci për të zhvilluar në mënyrë afatgjatë industrinë e turizmit në dobi të mirëqenies së qytetarëve tanë”, - deklaroi ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në fjalën e tij përshëndetëse. 

Gjatë kësaj Asambleje, drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve, zyrtare dhe publike, nga 22 vende, diskutuan për ndjeshmëritë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike në promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi