RAMA NGA LAÇI: I BEJ THIRRJE POLICISE TE MOS BASHKEPUNOJE ME FORCAT KRININALE
Kryetari i PS-së, Edi Rama, që nga qyteti i Laçit, ka akuzuar drejtorin e Policisë për bashkëpunim me forcat kriminale dhe i ka kërkuar atij të ndahet nga ai bashkëpunim dhe njëhërësh, të distancojë prej tyre edhe forcat e policisë që udhëheq.
“I them drejtorit të Policisë të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe ta ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe zgjedhjeve. Është një domosdoshmëri, sepse e kemi hasur këto orët e fundit një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me pjesën tjetër të vendit për ndryshim,
Incidentin e Laçit, kreu i PS-së e konsideroi si një përpjekje të pushtetit për të trembur njerëzit dhe larguar ata nga qendrat e votimit, pasi qeveria e ka kuptuar se edhe veriu do t’I bashkohet pjesës tjetër të Shqipërisë për rilindje.
Ai tha:“Fatkeqësish ka pasur humbje jete të pafajshme. Por edhe tani që po flasim, policia nuk është ende në krye të detyrës dhe forca kriminale me mbështetjen e policisë së shtetit, janë hedhur në një operacion në orët e para të mëngjesit.
Megjithatë, ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje pasi nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve dhe jemi të vendosur e të organizuar kudo për të mbrojtur çdo votë.
Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të larguar nga kutitë qytetarër, për të diktuar një vullnet që është minoritar dhe nuk mund t’i kundërvihet vullnetit të popullit shqiptar
E pra, edhe njëherë: Qetësi, pjesëmarrje, durim edhe në radhë të gjata. Kudo nëpër Shqipëri kemi informacion se ka derdhje të njerëzve, edhe këtu në Laç, edhe këtu në zonën e Kurbinit ne do të garantojmë votën e poPullit. Ju lutem qytetarëve të dalin familjarisht në votim se nuk ka forcë që të ndalë votën e tyre,”- përfundoi Rama.
META: SALI BERISHA TE IKE NGA PUSHTETI PA GJAK
“Dje në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Po dje kam takuar Drejtorin e Policisë së Lezhës së bashku me z. Spartak Braho dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Hysni Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot. Sidomos në Laç, në Mamurras, në Fushë Kuqe absolutisht banditët dhe kriminelët, të cilët janë aktualisht tani që po flasim ne përpara qendrave të votimeve të Mamurrasit dhe po u bëjnë presion qytetarëve për të treguar votën, janë me mbështetjen e policisë dhe segmenteve të policisë këtu dhe në kupolën e lartë të policisë së Shtetit.
Ne kemi fakte që Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve dhe të mbrojtjes së kriminelëve dhe banditëve të Partisë Demokratike, të cilët dalin me armë këtu e gjakosen dhe vranë një qytetarë të pafajshëm këtu sot para kësaj KZAZ-je. Sali Berisha duhet të dijë mirë se ai që nga sot nuk është dhe nuk mund të jetë kryeministër i shqiptarëve, kjo histori ka përfunduar një herë e mirë. Me banditë e me gjak ai nuk qëndron dot, ai duhet të iki me çdo çmim dhe çmimin ai e zgjedhe vetë. Ne jemi për zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ne jemi sot këtu dhe tani për të koordinuar dhe për të marrë gjithë masat për të mbrojtur votën e laçianëve, të popullit të Mamurrasit, të popullit të Fushës Kuqes, të Adriatikut e kudo. Kjo histori ka përfunduar, Sali Berisha nuk është më kryeministri i Shqipërisë, ai nuk ikën dot nga pushteti pa gjak. I paralajmëruam dje në mesnatë autoritetet më të larta të Policisë së Shtetit dhe kjo gjë ndodhi. Për do gjë çdo gjë do të mbajë përgjegjësi Sali Berisha dhe banditët e tij të cilët nuk i mbron dot nesër as Saliu, as Flamuri, as Kuliçi dhe asnjë tjetër.
Ne i kemi marrë dhe do të marrim të gjitha masat, do të mbrojmë çdo votë dhe njerëzit të shkojnë të votojnë. Në Laç në Mamurras në Fushë Kuqe dhe në të gjithë Shqipërinë. Fitorja do të jetë plebishitare”.
Redaksia online
(s.g/ar.sh/shqiptarja.com)