"Eshtë esencialisht e rëndësishme që ky proces të mos jetë përjashtues apo diversiv, por të jetë gjithëpërfshirës, shterues dhe të marrë në konsideratë punën e rëndësishme të deritanishme të ekspertëve, Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe dialogun konstruktiv të palëve kontribuuese në këtë proces.Të punojmë që nga ky moment natë e ditë, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, së bashku me anëtarin tonë në Komisionin Parlamentar për Reformën në Drejtësi, z. Braho, së bashku me ekspertët tanë, së bashku me ekspertët që kanë punuar deri më sot, së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, së bashku me të gjithë faktorët politikë në Parlament apo edhe jashtë tij, sepse nuk është vetëm pronë e Parlamentit kjo reformë, së bashku me shoqërinë civile, në mënyrë që të shterojmë çdo hendek që na ndan për të arritur konsensusin, që ajo të jetë një reformë e besueshme. Nuk paragjykoj askënd në këtë proces, sepse paragjykimet helmojnë bashkëpunimin dhe mirëbesimin. Mendoj se rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias janë të qarta për të gjithë ata që janë profesionistë dhe që janë të paanshëm. Për të gjithë ata që duan të luajnë dhe zvarrisin procesin, ne këto sugjerime do t’ia paraqesim publikut, do t’ia japim qytetarëve në mënyrë që në fund fare, ata të gjykojnë me mendje të kthjellët, por pse jo, edhe me çdo mënyrë tjetër cilindo që bëhet një pengesë për këtë reformë madhore për vendin tonë dhe për qytetarët tanë", tha Meta.
Në fjalën e mbajtur në çelje të mbledhjes së kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetari Ilir Meta bëri të qartë se nuk do të ngutet në miratimin e kësaj nisme, pa arritur më parë konsensusin politik dhe me PD-në. Meta tha se reforma në drejtësi dhe miratimi i saj me transparencë dhe përgjegjshmëri mbetet një nga prioritetet e kësaj force politike, duke theksuar se dialogu politik dhe konsensusi janë të domosdoshëm për efektivitetin e reformave të mëdha, siç është ajo në drejtësi.
"Konsensusi politik në parlament për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm, jo thjesht si çështje numrash, por si një bashkim vullneti politik të forcave parlamentare, si përfaqësuese legjitime të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, 90% e të cilëve kërkon ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Një reformë gjithëpërfshirëse, shteruese dhe konsensuale, është padyshim një reformë me besueshmëri të lartë, me jetëgjatësi të sigurt dhe prerogativa të besueshme funksionimi. Eshtë koha e çeljes së dialogut politik parlamentar për të çuar përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformës, me qëllim arritjen në një dokument përfundimtarë të gjithë pranuar dhe certifikuar nga partnerët ndërkombëtare, dhe në veçanti nga Komisioni i Venecias. Është detyra jonë, si LSI dhe si mazhorancë, të krijojmë të gjithë hapësirën e nevojshme për opozitën që të jetë substancialisht e përfshirë në dialog dhe që të kontribuojë në mënyrë sa më konstruktive. Eshtë një detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë në këtë dialog, me profesionalizëm dhe jo me populizëm, për zgjidhje të qëndrueshme që i shërbejnë përmirësimit të sistemit dhe jo bllokimit të tij", tha Meta.
Meta këshilloi demokratët të mos përdorin për drejtësinë sjelljen bllokuese dhe bojkotuese si me reformën territoriale.
"Shteruam të gjitha përpjekjet për të përfshirë PD në këtë proces e cila për fat të keq e paragjykua dhe u vetëpërjashtua në mënyrë sistematike. PD jo vetëm nuk shfrytëzoi mundësinë për të bashkëdrejtuar dhe për të pasur të drejtën e vetos, por paragjykoi se mazhoranca e kishte përcaktuar me kohë që hartë që e mbante të fshehur në sirtar. Pavarësisht nga ky paragjykim ne i dhamë kohën e duhur, që ajo të përfshihej në atë reformë madhore që e kishin pranuar të gjithë palët prej kohësh, edhe pse mazhoranca i kishte 3/5 e votave për ta miratuar edhe e vetme. 5 variante ju dhanë PD-së duke ju lutur që të zgjidhte një prej tyre. Jo tha PD ne do të paraqesim versionin tonë. Ju lutëm PD që nëse nuk i pëlqente asnjë nga 5 variantet ajo të dorëzonte të sajin, pasi edhe vetë PD e dinte se reforma ishte e domosdoshme. PD ndoshta në efektet e presioneve të shumë kryetarëve të saj lokal, refuzoi të merrte pjesë në realizimin e kësaj reforme me konsensus, dhe pasi u bindëm plotësisht se u shteruan të gjitha mjetet politike, të mos harrojmë edhe letrën që Rama i çoi Bashës për tu takuar dhe çka u refuzua, atëherë ne ecëm drejt kurorëzimit të kësaj reforme, për fat të keq pa Partinë Demokratike".
Por nuk mungoi dhe mesazhi për aleatët qeverisës kur tha se politika e faktit të kryer, jo vetëm është e papranueshme, por krijon dhe ndarje.
"Për Lëvizjen Socialiste për Integrim diskutimi dhe debati intensiv e transparent, i pandërprerë, që prodhon zgjidhej të qëndrueshme, është një bindje e pandryshuar. Politika e faktit të kryer, ngushton mundësinë për dialog , konsensus, dhe mirëbesim. Provokon ndarje dhe shpikje fajtorësh. Prandaj kërkojmë nga të gjithë përgjegjshmëri dhe angazhim të pandalshëm dhe konstruktiv. ", tha Meta.
LSI ishte e para që kërkoi zgjidhjen politike të ngërçit me reformën në drejtësi, që para se ekspertët të hartonin draftin. të njëjtën kërkesë ka pasur dhe PD, ndërsa kryeministri Rama gjatë gjithë kohës ka këmbëngulur që reformën ta bëjnë vetëm ekspertët
Fjala e Kryetarit Meta në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)