Presidenti Meta vizitoi ambientet mësimore e laboratorin ku printohen librat në alfabetin brail për nxënësit që nuk shikojnë. Ai i’u uron 8-marsin të gjitha grave e nënave nga ambientet e Institutit të Fëmijëve që nuk shikojnë.
“I privilegjuar të festoj 8 Marsin, ditën e grave, nënave dhe motrave në një mënyrë ndryshe. Së bashku me këta vogëlushë u urojmë mësueseve, nënave e personelit ndihmës Gëzuar 8-marsin. Përkushtimi e puna e tyre ndaj fëmijëve me aftësi të kufizura meritojnë respekt e mirënjohje të thellë.” , shprehet kreu i shtetit Meta.
Presidenti Meta regjistron audio një mesazh për fëmijët që nuk shikojnë.
Meta zgjedh një pasazh nga libri "Zemra" e De Amicis - Nëna ime
"...Kur të bëhesh burrë i pjekur e i rrahur nga dallgët e jetës, sa e sa herë, o Erik, do ta thërrasësh nënën tënde me mall e me brengë në shpirt, vetëm e vetëm që t'ia dëgjosh edhe njëherë zërin, që ta shikosh edhe njëherë kur të të hapë krahët, e ta pushtosh duke qarë me ngashërim si ndonjë fëmijë i mjerë, që nuk ka asnjë mbrojtje e ngushëllim.
...Ta dish, o Eriku im, se dashuria e nënës është dashuria më e shtrenjtë në botë, e mjerë ai që e shkel.
...Kurrë mos nxirr më prej goje ndonjë fjalë të ashpër për atë që të dha jetën.", mesazhi që Presidenti Meta regjistroi audio në laboratorin e fëmijëve që nuk shikojnë.
e.gj/Shqiptarja.com











