TIRANË-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Owen Jenkins.
Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen britanike në forcimin e institucioneve demokratike dhe mbarëvajtjen e reformave të rëndësishme që kërkon vendi.
Në këtë drejtim, Meta theksoi se Kuvendi mbetet i përkushtuar në zgjerimin e hapësirave për gjithëpërfshirje, bashkëpunim konstruktiv politik dhe në rritjen e cilësisë së hartimit dhe implementimit të legjislacionit në funksion të axhendës evropiane dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Jenkins shprehu vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për t'a forcuar asistencën britanike ndaj reformave kyçe, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe forcimit të sundimit të ligjit në Shqipëri, në kuadër të sfidave të ardhshme të procesit të integrimit evropian të vendit.
Meta dhe Jenkins biseduan gjithashtu mbi zhvillimet ndërkombëtare e rajonale, ku u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar si dhe roli konstruktiv i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit. /ATSh/