DIBER- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka prezantuar sot kandidatët për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit në Qarkun e Dibrës. Duke falënderuar të pranishmit për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve për LSI, Meta tha se këto përpjekje do të garantojnë fitoren e 23 qershorit. Sipas kreut të LSI, komisionerët e kësaj force do të garantojnë mbrojtjen e votës.
 
“Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë komisionerët e saj, do të ketë numëruesit e saj, do të ketë përfaqësuesit e saj në të gjitha KZAZ-të. Jo vetëm që do të mbrojë dhe do të garantojë votat për LSI-në por votën që do të hedhë çdo qytetar shqiptar ashtu siç i do zemra e tij. Jam i bindur se shumica e zemrave të matjanëve dhe të gjithë shqiptarëve rrahin për rrotacionin, rrahin për ndryshimin dhe duan që të ecin më shpejt”, tha Meta.
 
Duke u ndalur tek programi i LSI, Meta tha se forca politike që ai drejton ka një program konkret për të mbështetur zhvillimin më të shpejtë të Matit dhe të matjanëve në të gjitha fushat, duke investuar për infrastrukturën e vaditjes dhe duke rikonstruktuar këtë infrastrukturë në çdo komunë.
 
“Do të punojmë duke zhvilluar infrastrukturën përmes ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve në shkallë rrethi duke filluar nga aksi Klos-Urakë-Rrëshen si dhe furnizimin me ujë të pijshëm në çdo komunë në mënyrë të veçantë për ujësjellësin e Kurdarisë, të Bazit dhe të Klosit; do të bëhet ekspertim profesional dhe do të vihen përpara përgjegjësisë shpërdoruesit e fondeve publike; do të stimulojmë ndërtimin e HEC-ve të vogla me kredi të buta, si një mundësi e madhe në këtë zonë për të rritur të ardhurat dhe punësimin e matjanëve; do të punojmë për të rritur prodhimin e Kromit, e në mënyrë të veçantë për të vënë në punë metalurgjinë dhe uzinën e ferrokromit dhe për të nxitur fabrikat e pasurimit të kromit në vend në mënyrë që të punësojmë matjanët dhe shqiptarët dhe jo kinezët”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
 
Lideri i LSI-së u shpreh se LSI vjen në këto zgjedhje me kontribute të spikatura për integrimin dhe për stabilitetin e vendit.
 
“LSI dha një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave. Ishte përsëri LSI-ja që me urtësi, me mençuri dhe me këmbëngulje imponoi mbledhjen e Parlamentit dy javë më parë në kulmin e fushatës elektorale në mënyrë që të votoheshin tre ligjet, të cilat do t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti, në mënyrë që të zhbllokohen dhjetëra projekte dhe ndihma financiare të BE-së për Shqipërinë që të mundësojnë një zhvillim më të shpejtë dhe hapjen e shumë vendeve të reja të punës”, tha ai.
 
Me tej, Meta u shpreh se “vota për LSI-në është një votë e mençur, është një votë që ndihmon stabilitetin e vendit, është një votë që ndihmon ndryshimin e vendit, është një votë që ndihmon paqen sociale, është një votë që ndihmon zhvillimin e ekonomisë, është një votë që ndihmon punësimin e të gjithë shqiptarëve që duan punë, është një votë që i ndihmon të gjithë matjanët dhe të gjithë shqiptarët që të ecin më shpejt”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)