SHKODER - Do të na duhet kohë për ta marrë statusin, jo sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk ishin të gatshëm për ta merituar por sepse konflikti politik, interesat parciale dhe partiake mbi ato kombëtare, e pengoi Shqipërinë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo ka qenë deklarata e sotme e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke folur në një takim me simpatizantët e LSI-së në Shkodër, Meta tha se “Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, nuk kanë nevojë as për retori konfliktuale, as për bllokime artificiale dhe për akuza reciproke pa limit”.

“Sot duhet të ishte një ditë më e mirë për të gjithë shqiptarët, duhet të ishte një ditë ku të gjithë në vijmë të festave të festonin edhe miratimin e statusit kandidat për në Bashkimin Europian për vendin tonë. Por është për të ardhur keq që ne përsëri do të na duhet kohë për ta marrë këtë status, jo sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk ishin të gatshëm për ta merituar por sepse konflikti politik që ende gjallon, i cili vendos interesat afatshkurtra mbi ato afatgjata, interesat parciale dhe partiake mbi ato kombëtare, e pengoi Shqipërinë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Megjithatë Shqipëria ka vetëm një destinacion që është pikërisht procesi i pandalshëm i saj, pavarësisht nga vonesat, pavarësisht nga pengesat, pavarësisht nga ngërçet që krijon politika e konfliktit herë pas herë dhe ky destinacion është anëtarësimi i pashmangshëm në Bashkimin Europian.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, nuk kanë nevojë as për retori konfliktuale, as për bllokime artificiale dhe për akuza reciproke pa limit. Shqiptarët duan zgjidhje, sepse shqiptarët kërkojnë në radhë të parë punësim, kërkojnë mundësi më të mira për veten e tyre dhe në veçanti për fëmijët e tyre. Politika e konfliktit veçse i merr energjitë dhe kohën e duhur politikës dhe të gjithë shqiptarëve për të ecur më shpejt në rrugën e zgjidhjes së problemeve ekonomike dhe sociale”, u shpreh Meta.

(eç/shqiptarja.com)