Schulz la postin e Presidentit të PE-së dhe në vend të tij u zgjodh politikani italian, ish-komisioner i BE-së, Antonio Tajani.
Në letrën e tij, Meta shkruan se Schulz ishte një mik i vërtetë i shqiptarëve si dhe një prej mbështetësve kryesor të zgjerimit të BE-së, Unionin ku aspiron të integrohet edhe Shqipëria.
"Ju keni qenë një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe një besimtar i palëkundur i zgjerimit të BE-së, besim që ka ndihmuar në ruajtjen e një fryme pro-zgjeruese në Parlamentin Evropian gjatë viteve të kaluar.
Mbi të gjithë, jam mirënjohës që gjatë presidencës tuaj, marrëdhëniet mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian janë forcuar ndjeshëm në nivelin politik dhe atë administrativ, ku kontributi juaj personal ka qenë kyç", shkruan Meta.
Letra e Metës drejtuar Shculz:
I nderuar Martin,
Me rastin e vendimit tuaj per te lënë postin e Presidentit te Parlamentit Evropian, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dëshiroj të shpreh falenderimet më të sinqerta për kontributin tuaj të vyer në krye të këtij institucioni të rëndësishëm evropian si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi patur.
Dëshiroj të vlerësoj dedikimin tuaj të vazhdueshëm në mbajtjen lart të vlerave social demokrate dhe evropianiste dhe më lejoni të shpreh mirënjohjen për mbështetjen tuaj të pandalur ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve tona fqinje në Ballkan.
Ju keni qenë një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe një besimtar i palëkundur i zgjerimit të BE-së, besim që ka ndihmuar në ruajtjen e një fryme pro-zgjeruese në Parlamentin Evropian gjatë viteve të kaluar.
Mbi të gjithë, jam mirënjohës që gjatë presidencës tuaj, marrëdhëniet mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian janë forcuar ndjeshëm në nivelin politik dhe atë administrativ, ku kontributi juaj personal ka qenë kyç.
Duke ju rishprehur edhe një herë mirënjohjen time më të thellë për bashkëpunimin dhe miqësinë që kemi patur në vite, ju uroj çdo sukses në angazhimet tuaja në të ardhmen.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com