TIRANË - Me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t'ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shkruan kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, homologut e tij kosovar, Kadri Veseli.
"Sot është një ditë e shënuar jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë politikën e mençur dhe vizionare të Presidentit Ibrahim Rrugova dhe të gjithë së bashku nderojmë e përulemi përpara sakrificës së heronjve të UÇK-së me në krye Komandantin legjendar, Adem Jasharin", shkruan Meta.
Po ashtu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, shprehet në letrën e tij, drejtuar homologut të Kosovës Veseli  se "Shtatë vjet pas aktit të guximshëm e historik të shpalljes së pavarësisë, akt i cili i ka shërbyer jo vetëm lirisë dhe begatisë së popullit të Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë, jemi krenarë për arritjet dhe sukseset e deritanishme dhe ndjehemi shpresëplotë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do vazhdojnë t'a mbështesin fuqimisht forcimin demokratik e institucional të Kosovës, shtimin e njohjeve të saj ndërkombëtare si dhe konsolidimin e perspektivës evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës".
"Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për lumturi e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës  time më të lartë", shkruan Meta./ATSH/