Z. Meta theksoi se kryeçështja dhe kryeprioriteti sot mbetet miratimi pa vonesë i reformës në drejtësi. Sipas tij, LSI është shprehur qartë se mbështet dhe voton ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë reformës në drejtësi.
“Për të vendosur një raport të ri të politikës me qytetarët është themelore vendosja e standardeve më të larta të transparencës dhe në këtë drejtim LSI do të vazhdojë t’i thellojë të gjitha nismat e saj të bëra publike. I kërkoj sot përpara jush edhe deputeteve tona më të reja, por edhe LRI-së, që të ndërmarrin iniciativa sa më konkrete në këtë drejtim, sepse në radhë të parë standardet më të larta duhet t’i kërkojnë të rinjtë. Në këtë kuadër do të ndërmarrim nisma për të rishikuar dhe përmirësuar legjislacionin për financimin e partive dhe të organizatave politike, për të marrë përvojat më të mira evropiane dhe amerikane të auditimit për transparencën, për fondet apo aktivitetet e forcave politike dhe shpenzimet e fushatave, për të bërë ndryshime sa më të qenësishme në Kodin Zgjedhor, për të garantuar shenjtërinë e votës të çdo qytetari shqiptar anembanë vendit. Për këtë qëllim deputetët përfaqësues të LRI-së në Kuvendin e Shqipërisë do të ndërmarrin një nisme ligjore konkrete, sikurse bënë edhe për Ligjin dhe Vullnetarizmin” - deklaroi Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta gjatë Konventës Kombëtare të Gjimnazistëve të organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim.
Redaksia Online
Shqiptarja.com