SHKODËR - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar sot në Shkodër një bashkëbisedim me biznesmenë, sipërmarrës të njohur si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit. (Në foto: Ilir Meta në Shkodër)

NE, KËTO DITË, ALTERNATIVËN TONË PËR SHLYERJEN E BORXHEVE
 
Ilir Meta u shpreh përpara biznesmenëve në Shkodër, se "LSI në ditët e ardhshme, brenda kësaj jave do të japë edhe një alternativë shumë të qartë për shlyerjen e borxheve në një periudhë shumë të shpejtë nga ana e qeverisë, të gjithë punëve publike të papaguara deri tani, por edhe të TVSH-së së parimbursuar deri tani për të gjitha bizneset".

Sipas Metës, "është një skemë shumë e kolauduar, të cilën sikurse e thashë do ta bëjmë publike këto ditë dhe të cilën do ta bëjmë pastaj publike në të gjithë vendin. Sepse është e domosdoshme që shteti t’i shlyejë detyrimet ndaj gjithë kompanive".
 
Ai ka theksuar se kjo krizë në Evropë duhet ta shikohet si një mundësi për të tërhequr sa më shumë investitorë, sidomos italianë, por edhe të vendeve të tjera, të cilët për shkak të rritjes së politikës së taksave në këto vende synojnë të transferojnë fabrikat e tyre, aktivitetet e tyre në vende më të afërta dhe kuptohet që Shqipëria është një vend ideal.
 
Një tjetër çështje shqetësuese për biznesin sipas Metës ka qenë dhe mbetet rimbursimi i TVSH-së. “Është një borxh i madh i shtetit, pra TVSH-ja e parimbursuar për bizneset, e cila pa dyshim që përveç shlyerjes së saj, që hyn së bashku me skemën e punëve publike të papaguara nga ana e qeverisë, kërkon edhe një zgjidhje për të ardhmen. Zgjidhja për të ardhmen, sikurse ne e kemi bërë publike këtu në Shkodër në vizitat e kaluara është rimbursimi automatik i TVSH-së. Kjo është e vetmja zgjidhje, që të mos lihet në dorën e administratës, të burokracive të tjera, të veprimeve selektive e kështu me radhë”, përfundoi parashtrimin e tij para biznesmenëve në Shkodër.
 
BIZNESI, PARTNER I FUQISHËM I QEVERISË
 
Në fjalën e tij hyrëse kreu i LSI-së deklaroi se biznesi është dhe duhet të jetë një partner shumë i rëndësishëm i qeverisë. “Për ne biznesi është dhe duhet të jetë një partner shumë i fuqishëm i qeverisë, i shtetit për të çuar para të gjitha reformat, për të çuar para edhe integrimin evropian, sepse pa një ekonomi të zhvilluar, pa një sipërmarrje të zhvilluar, pa pasur një sipërmarrje efeciente dhe që di të konkurrojë denjësisht në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare, integrimi evropian është një projekt i dështuar”, tha Meta.
 
MODEL PRODHIMI, JO DËRGESASH NGA EMIGRANTËT

Sipas Metës, situata ekonomike është plot mjegull rreth e qark. “Kjo shprehet sidomos në rënien e dërgesave të emigrantëve tanë, të cilat kanë pësuar një rënie drastike. Dhe kjo pastaj shprehet edhe në shumë tregues të tjerë, në rritjen e borxhit, në rritjen e deficitit tregtar e kështu me radhë".

Sipas Metës, është imediate që përpara se të diskutojmë për taksat, të diskutojmë dhe të angazhohemi për një model të ri ekonomik, i cili bazohet jo thjesht tek konsumi, i cili është financuar deri më tani nga të ardhurat e emigracionit, por që bazohet tek prodhimi në vend. Dhe akoma më tepër tek një ekonomi që jo vetëm prodhon por edhe eksporton. Kjo është rruga më e sigurt për një ekonomi kombëtare të qëndrueshme dhe njëkohësisht edhe për një punësim të qëndrueshëm duke qenë se për ne problemi kryesor në vend, sot dhe për të ardhmen, mbetet problemi i punësimit dhe rruga më efektive për të zbutur problemet sociale është ajo e punësimit”, vijoi ai.

TAKSAT, NË FUNKSION TË ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM
 
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se çështja e taksave është një çështje që duhet parë në funksion të këtyre objektivave, pra të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në prodhim, të bazuar në eksport, të bazuar në produkte ‘Made in Albania’ dhe sigurisht që të gjitha politikat e tjera tatimore duhen vënë në funksion të këtyre objektivave. “Sepse në qoftë se dikush nuk prodhon ose dikush nuk shet, për çfarë do ta tatosh? Në qoftë se një njeri nuk siguron një të ardhme, nuk ka një rrogë, atëherë për çfarë do ta tatosh, çfarë do të paguajë? Kështu që mendoj se ky është një debat që nuk duhet nisur nga fundi por duhet nisur nga fillimi”, tha ai.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)