TIRANË - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zgjodhi që ta përmbyllë fushatën me një vizitë në një fabrikë prodhimi dhe eksportimi këpucësh, konfeksioni, në kompaninë “Doniana SHPK”. Në këtë fabrikë janë të punësuara mbi 1200 gra dhe vajza.

Në një prononcim për mediat Meta deklaroi se "thelbi programit të LSI-së është rigjallërimi i ekonomisë dhe në veçanti orientimi drejt eksporteve. Sipas tij, kjo është rruga më e shkurtër për të hapur vende të reja pune dhe që ato të jenë afatgjata. “Sot në ditën e fundit të fushatës elektorale unë zgjodha që të përfundoja të gjithë këtë fushatë me një vizitë në një nga sipërmarrjet më të suksesshme, që drejtohet nga një zonjë dhe njëkohësisht, ku janë të punësuara me qindra gra dhe vajza, në një sipërmarrje, e cila është mjaft e suksesshme edhe në drejtim të eksporteve", u shpreh Meta.

Duke shtuar se, "i gjithë thelbi i angazhimit dhe i programit tonë për të ardhmen është rigjallërimi i ekonomisë, ristrukturimi i saj e në mënyrë të veçantë orientimi drejt eksporteve si rruga më e sigurt për të pasur një ekonomi të shëndetshme, një ekonomi konkurruese që garanton vende të qëndrueshme, të sigurta e afatgjata të punës”.
 
Meta tha se LSI është e vendosur që të mbështesë sipërmarrjen, sidomos ato që punësojnë gra dhe vajza dhe se programi i LSI-së do të vendosë themele të sigurta për rritje të qëndrueshme ekonomike. “Prandaj me këtë rast dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vendosmërinë tonë për të ecur në programin tonë për të mbështetur sipërmarrjen shqiptare por edhe të huaj, për të mbështetur në mënyrë të veçantë të gjitha gratë dhe vajzat sipërmarrëse në Shqipëri me qëllim që të dyfishohet numri i të gjithë grave dhe vajzave, që drejtojnë sot sipërmarrjet në vendin tonë brenda këtyre katër viteve dhe njëkohësisht të arrijmë të punësojmë çdo grua, çdo vajzë, gjatë gjithë këtyre katër viteve përmes programit tonë për punësimin", u shpreh lideri i LSI.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)