TIRANE- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me mijëra të rinj të Njësisë Bashkiake nr.4 në Tiranë, dhe më pas është ndalur në një bashkëbisedim me qytetarët në Njësinë Bashkiake nr.7.
 
Meta tha se më 23 qershor të rinjtë shqiptarë votojnë për zgjidhjen e problematikave të tyre, për të cilët LSI ka një plan konkret.
 
 “Ju votoni për të ngritur zërin tuaj në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, për t’i dhënë zgjidhje problemeve tuaja lidhur me reformimin e sistemit tonë arsimor, me krijimin e mundësive dhe hapësirave për formimin profesional, për zgjidhjen e problemeve tuaja lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim ka një plan konkret duke krijuar lehtësi fiskale për të gjithë sipërmarrësit të cilët punësojnë të rinj dhe të reja për herë të parë, si një mbështetje që u jepet atyre për të hyrë të sigurt në jetën që duhet të ndërtojnë me punë dhe me djersë”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
 
Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë Bashkiake nr.7, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se më 23 qershor do të marrë fund ky kapitull mjaft i lodhshëm i këtij tranzicioni të stërzgjatur.
 
“Besoj se 23 qershori do t’i japë fund kapitullit të gjatë dhe mjaft të lodhshëm të tranzicionit. Dhe ne do të kemi mundësinë që më 24 qershor me votën plebishitare të qytetarëve të gjithë Shqipërisë të nisim një projekt të pandërprerë për evropianizimin e vendit, për zhvillimin e tij për modernizimin e tij përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes”, u shpreh Meta.
 
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se problemi kryesor për vendin është zëvendësimi i këtij modeli ekonomik ekzistues, i një ekonomie që sipas tij bazohet mbi konsumin dhe mbi financimin që vinte nga të ardhurat e emigrantëve, të ardhura që kanë pësuar rënie drastike.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)