Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti eurodeputetët anëtarë të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri të kryesuar prej Elly Schlein, Zv. Kryetare e Parë e Komisionit nga ana e Parlamentit Evropian ku ka thënë se Shqipëria do të plotësojë kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim. 

Fokusi i bisedimit ishte rritja e cilësisë së dialogut dhe bashkëpunimit politik me qëllim përmbushjen e të gjitha prioriteteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Në këtë drejtim vëmendje e veçantë iu kushtua miratimit të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi, të cilën Meta e konsideroi si kyçe dhe të pazëvendësueshme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe për mirëfunksionimin e demokracisë e klimës së investimeve në vend.
 
Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandalur të Parlamentit Evropian në avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vlerësoi në veçanti rezolutën e fundit inkurajuese të Parlamentit Evropian për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)