- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pret Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi - 
TIRANË, 17 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë takimit me Kryetarin e Partise Demokratike te shqiptareve te Maqedonise, Menduh Thaçi, përveç mendimeve që shkembyen rreth zhvillimeve në Maqedoni, në Shqipëri dhe në rajon, vlerësoi angazhimin e Thaçi dhe të partisë së tij, por dhe të gjithë faktorit shqiptar për të shtyrë më tej Maqedoninë drejt proceseve integruese dhe drejt zgjidhjes së çështjes së emrit.
Në përfundim të takimit,  Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi, dhanë një prononcim për mediat.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh se "Natyrisht, që në radhë të parë do të përfitoj nga rasti për t'i uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës festën e pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës, pasi sot është një ditë e shënuar. Dhe së dyt,i dua të shpreh vlerësimin tim për angazhimet e Thaçi dhe të partisë së tij, por dhe të gjithë faktorit shqiptar për të shtyrë më tej Maqedoninë drejt proceseve integruese, drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, ashtu sikurse është e rëndësishme të ecet më shpejt drejt, jo vetëm realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por njëkohësisht edhe të përmirësimit të situatës ekonomike e sociale të shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë, por edhe të gjithë qytetarëve në Maqedoninë Perëndimore".
Ndërsa Menduh Thaçi tha se "E informova Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Meta, për shqetësimin tonë kryesor që kemi si shqiptare, pra bllokimin e procesit integrues drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo na shqetëson shumë. Në anën tjetër, na komplikon edhe çështjen e të drejtave tona, qofshin politike apo ekonomike". /a.ke/