BERLIN - Gjatë vizitës së tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është pritur në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë nga Sekretarja e Shtetit Emily Haber.

Në takim, sekretarja e Shtetit, Haber u shpreh se pas zgjedhjeve të lira e demokratike, Shqipëria i ka shtuar përpjekjet e saj në adresimin e prioriteteve të Komisionit, dhe se duhet të vazhdojë në këtë drejtim, sidomos në rritjen e zbatueshmërisë së ligjeve.

Haber i tha Metës, se Gjermania i çmon marrëdheniet me Shqipërinë dhe vlerëson si shumë të rëndësishme përqasjen pozitive dhe të qëndrueshme të vendit në rajon. Në këtë drejtim, Haber dhe Meta kanë ndarë bindjen se qëndrueshmeria e ritmit të reformave të nisura nga qeveria e re dhe thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të jenë kyçe në funksion të përparimit të axhendes evropiane të Shqipërisë.

Meta u shpreh se qeveria e re po tregon vullnet të qartë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërkohë që Kuvendi është fokusuar në mbarëvajtjen e një dialogu politik konstruktiv dhe në forcimin e dimensionit të gjithëpërfshirjes.

Në përfundim, Meta theksoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në BE, dhe se mbështetja e Gjermanisë do të jetë vendimtare në këtë drejtim, duke nënvizuar njëkohësisht se pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, Shqipëria është e vendosur të vazhdojë me thellimin e reformave të nevojshme.

Kryetari i Kuvendit e përmbylli vizitën e tij në Berlin duke zhvilluar një takim të veçantë edhe me Këshilltarin e Kancelares Angela Merkel për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Christoph Heusgen, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajon.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)