LUSHNJE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim premton modernizimin e bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese në vend, rrit eksportet dhe vendet e reja të punës.  Gjatë një vizite në një fermë bujqësore në qytetin e Lushnjës, Meta u shpreh se Plani i Punësimit i Lëvizjes Socialiste për Integrim fillon me sektorin e bujqësisë, me hapat konkretë që do të ndërmerren për rimëkëmbjen dhe modernizimin e saj.
 
 “Në mënyrë të veçantë do të theksoja rëndësinë që ne i kushtojmë subvencionimit me 50 për qind të çmimit për farat e zgjedhura me rendiment të lartë, pasi sot kontrolli i këtyre farave, mungesa e certifikimit të tyre është një problem i madh dhe serioz për mijëra e mijëra fermerë anembanë vendit. Subvencionimi njëkohësisht për sa i takon traktorëve, motokultivatorëve, në mënyrë që ne të nxisim modernizimin e bujqësisë, rritjen e rendimentit të prodhimeve bujqësore në vend”, u shpreh Lideri i LSI-së.
 
Meta tha se është i domosdoshëm krijimi i “Shoqërive bujqësore” dhe kjo do të mundësohet duke i mbështetur ato ferma që operojnë si entitet i vetëm me përjashtimin nga të gjitha taksat për 5 vitet e para të aktivitetit.
 
Meta premtoi mbështetje të veçantë dhe për serat pasi sipas tij rritja e kostos së prodhimit i ka vënë në vështirësi të madhe fermerët.
 “ Mbështetja e tyre në të gjitha drejtimet, që nga subvencionimi i një pjese të çmimit për karburantet dhe i të gjitha inputeve të tjera, do të jetë një prioritet i ynë për katër vitet e ardhshme”, tha Lideri i LSI-së.
 
Duke përfunduar z. Meta tha se vetëm duke zhvilluar bujqësinë, vetëm duke e modernizuar atë, duke ulur kostot e prodhimit në vend, do të arrihet të zhvillohen dhe të rriten në mënyrë të qëndrueshme ekonomia dhe eksportet shqiptare.