Meta në Washington DC:‘Drejtësia’
i jep fund pandëshkueshmërisë

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit sot nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë në Washington DC Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u prit nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, me të cilët bisedoi mbi përpjekjet e përbashkëta për një sistem të drejtësisë të paanshëm, të besueshëm dhe efikas në Shqipëri. Meta shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA japin për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe i informoi për ecurinë e reformës në drejtësi, duke vënë në dukje se kjo reformë është në fazën e saj përfundimtare, atë të miratimit të saj.

Meta rikonfirmoi angazhimin e tij për miratimin sa më të shpejtë të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kuvend dhe duke vlerësuar opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, si dhe punën e paanshme dhe profesionale të misioneve EURALIUS dhe OPDAT, theksoi se: “Kjo reformë e thellë do të shërbejë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të publikut si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ne jemi të vendosur ta çojmë përpara këtë reformë edhe me plotësimin e akteve të tjera ligjore, si një domosdoshmëri për të luftuar me efikasitet korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmerisë në Shqipëri”.

Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, z. Bruce Swartz shprehu rëndësinë e veçantë që SHBA-të i kushtojnë miratimit të reformës në drejtësi dhe theksoi se Departamenti i Drejtësisë dhe misionet e asistencës OPDAT dhe ICITAP do të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Z. Swatz shprehu gjithashtu vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit