Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur alarmin për vendin tonë sa i përket papunësisë. Sipas tij, Shqipëria është vendi me papunësinë më të lartë të të rinjve në Evropë. Ish kreu i shtetit thekson se qeveria është kthyer në asfiksuese për të ardhmen e të rinjve.

‘Shqipëria është vendi me papunësinë më të lartë të të rinjve në Europë.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, 79% e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë largohen nga vendi për shkak të pagave të ulta.

Tirana është ndër tre kryeqytetet me çmimet më të larta në Europë për blerjen e apartamenteve, duke penalizuar më së shumti çiftet e reja dhe duke ua bërë të pamundur të rinjve ndërtimin e familjes dhe të ardhmes së tyre në Shqipëri.

Ndërsa Qeveria është kthyer në asfiksuese e së ardhmes së të rinjve, rikthimi i shpresës dhe mbrojtja e familjes dhe vendit nga shpopullimi është kthyer në një mision mbarëkombëtar, për të cilin nuk do të ndalemi në asnjë moment.’- shkroi Meta.