Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka postuar sot një video në rrjetin social ‘Facebook’, të takimit të kryeministrit Edi Rama me të rinjtë në Ersekë. Gjatë videos, njëri prej të rinjve ka marrë fjalën ku ka folur lidhur me problemet që shkolla e tij kishte sa i takon investimeve në laboratore dhe mungesës së kushteve specifike.

Meta e konsideroi nxënësin "kurajoz" duke shtuar se sipas tij, as censura nuk mundi ta ndalonte dot të thoshte atë që mendonte.

"Ja si i del boja fasadës së investimeve të "Rilindjes" në Arsim përmes të vërtetave të thëna hapur nga ky nxënës kurajoz në Ersekë, të cilin censura nuk mundi ta ndalonte dot. Për shkak të Rilindjes, Arsimi sot është më i braktisur, më i politizuar dhe më i rrënuar se kurrë. Braktisja e Arsimit tregohet qartazi me mos mbështetjen buxhetore për arsimin, me investimet gjysmake, e tregon shpërfillja për mësuesit, pedagogët dhe për kërkimin shkencor.

Bëhen ndërtesa për t'u dhënë tendera klientëve të Rilindjes, por nuk ka laboratorë, palestra, banka dhe mjete mësimore bashkëkohore. Për Partinë e Lirisë, Arsimi është prioritet i prioriteteve kombëtare dhe do të jetë prioriteti i parë sa herë të diskutohet Buxheti i Shtetit. Nuk ka zhvillim pa Arsim! Gjithçka për të rinjtë!   '- shkruan Meta në postimin e tij në rrjetin social "facebook".