Meta: Prioritet zgjerimi i sektorit privat, mundëson punësimin

TIRANË- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e çertifikimit të një grupi të rinjsh në Paskuqan, të cilët përfunduan një trajnim disamujor për gjuhët e huaja, anglisht dhe italisht, në përpjekje për t'u përgatitur për tregun e punës.
Duke folur gjatë këtij aktiviteti, Meta tha se ky është vetëm fillimi një projekti afatgjatë, që lidhet me prioritetin që do t'i jepet formimit profesional. "Mësimi i gjuhëve të huaja për të rinjtë nuk është luks, por domosdoshmëri për t'u integruar në tregun e ri të punës, sidomos në sektorin e shërbimeve", tha Meta.
Sipas kryetarit të LSI-së, tregu i kufizuar i punës ka qenë një pengesë serioze deri tani, ndaj formimi profesional i këtyre muajve për të rinjtë e Paskuqanit do të ndihmojë shumë shpejt për krijimin e vendeve të reja të punës në këtë zonë.
Lideri i LSI-së shtoi se jo të gjithë mund të punojnë në administratë, pasi kjo është e pamundur, ndaj zgjerimi i sektorit privat është një prioritet për të realizuar objektivin kryesor, që është punësimi.
"Mbështetja e këtij sektori do të bëjë të mundur punësimin e të gjithë atyre që duan të punojnë. Këtu ka një popullsi mjaft aktive, ka një rini mjaft aktive, e cila kërkon të integrohet në tregun e punës në shoqëri dhe ne do të bëjmë gjithçka për t'i dhënë mbështetjen më të plotë", u shpreh Meta në takimin me të rinjtë.
Të rinjtë e Paskuqanit që u pajisën me çertifikata, ju nënshtruan një kursi intensiv gjatë muajve të verës për gjuhët e huaja. Pritet që shumë shpejt, me ardhjen e një kompanie të huaj që do të hapë një filial në këtë zonë, ata do të kenë mundësi të ushtrojnë aftësitë e tyre në biznesin e "call-center"./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh problemin me shqiptarët në Britani vizita e Ramës në Londër?



×

Lajmi i fundit

Mbetën në mes të detit dhe rrezikuan të mbyten pasi anija pësoi defekt, shpëtohen tre turistët e huaj në Vlorë