TIRANE – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se ka marrë autonominë vendore dhe që nuk është e drejtë në politikat e saj rishpërndarëse, duke iu referuar lënies në harresë të qytetit të Beratit.

Sipas aleatit të qeverisë, është shqetësues planifikimi zero për akset e këtij qarku, për rikonstruksionin e rrugës Lushnje-Berat, që sipas Metës është në gjendje të tmerrshme.

Kreu i LSI renditi edhe problematika të tjera që lidhen drejtëpërdrejt me politikën e qeverisë, për të cilën ai u shpreh se “nuk duhet të ketë kalkulime elektorale në zbatimin e ligjeve.”

“Më duhet të shpreh keqardhjen për një rast konkret. Kur kemi dy ngjarje paralelisht. Qarku i Beratit pakësohet me një deputet, por njëkohësisht ajo që më shqetëson është planifikimi zero për akset e këtij qarku, për rikonstruksionin e rrugës Lushnje-Berat që është në gjendje të tmerrshme, për mospërfundimin e rrugës Berat-Çorovodë edhe pse ka 10 vjet qe është nisur, për mosfinancimin e duhur të rrugës së re Lushnje-Berat. Kjo sjell zhgënjim për qytetarët, që pothuajse asgjë, ata cënohen në jetën e tyre të përditshme në aktivitetet e përditshme”, u shpreh Ilir Meta gjatë zhvillimit të Konferencës së të Zgjedhurve Vendorë të LSI-së në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, një diskriminim i tillë ndaj qarkut të Beratit, ka sjellë pasoja në uljen e numrit të turistëve.

“Nga përkeqësimi i rrugës numri i turistëve për një vit ka rënë me 5 mijë. Numri i turistëve në të gjithë vendin është rritur në mënyrë të ndjeshme. Por ky është një diskriminim dhe ne jemi kundër diskriminimit, jo vetëm për Beratin, por për këdo tjetër”, -u shpreh Meta.

Në përfundim të fjalës mbajtur në konferencë, Meta tha se “po shkojmë drejt zgjedhjeve me besim të plotë që do të formojmë një alternativë tepër realiste.”

Ndërkaq, kreu i LSI-së përshëndeti kryetarët e komunave dhe të bashkive, duke përmendur edhe emra konkret si Viktor Tusha të cilin e cilësoi “drejtues vendor model.”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)