Meta: Reforma në drejtësi mbështetet
nga SHBA e BE, e miratojmë shpejt

Meta: Reforma në drejtësi mbështetet<br />nga SHBA e BE, e miratojmë shpejt
Në kuadër të vizitës në Washington DC, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi disa takime në Kongresin Amerikan, gjatë të cilave rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Gjatë takimeve me kongresmenët Jim McGovern dhe Joe Courtney, Meta i informoi ata edhe mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, duke u përqendruar veçanërisht në rëndësinë e miratimit sa më parë të reformës në drejtësi, e cila ka mbështetjen e gjerë të SHBA dhe BE.

Kryetari i Kuvendit mori mbështetjen e përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për angazhimin në vazhdimësi të SHBA për të ofruara asistencën e nevojshme në fazën e implementimit të reformës për ngritjen e institucioneve te reja, procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rritjen e besimit te integriteti i sistemit të ri të drejtësisë dhe funksionarëve të tij, si dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Zyrës së Prokurorit të Posaçëm për Antikorrupsionin.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një takim edhe me Timothy Wedding, Zëvendës Asistent i Përfaqësuesve Tregtarë të SHBA, të cilin e njohu me masat që po ndërmerr Shqipëria në thellimin e reformave në sektorin ekonomik, konsolidimin e treguesve financiar, luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, që lidhet ngushtë edhe me reformën në drejtësi. Gjithashtu u diskutua për rrugët dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, asistencën e posaçme ndaj biznesit dhe investitorëve shqiptarë për të marrë njohuritë e duhura për

të rritur shkëmbimet tregtare me SHBA, rritjen e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjik të ekonomisë.

Njëkohësisht, Kryetari i Kuvendit kërkoi mbështetjen e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA për fillimin e procedurave të marrëveshjes mes dy vendeve për heqjen e taksimit të dyfishtë, si një hap që do të rrisë interesin dhe fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit, Meta zhvilloi një takim edhe me drejtues të lartë të Institutit Demokratik Amerikan (NDI). Meta u prit nga Drejtori për Evropën i NDI-së, Robert Benjamin, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin mes NDI-së dhe Kuvendit të Shqipërisë, veçanërisht në fushën e transparencës së veprimtarisë parlamentare, bashkëpunimin me shërbimet e Kuvendit, kodin e etikës së deputetit dhe procesit ligjbërës.

Kryetari i Kuvendit kërkoi mbështetjen e NDI për ndërmarrjen e një iniciative të plotë ligjore edhe në kuadër të reformës zgjedhore për transparencën e financimit dhe funksionimit të partive politike në Shqipëri.

Përfaqësuesit e NDI-së shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe partitë politike në vend, veçanërisht në projekte për përfshirjen e të rinjve në politikë.

Në përfundim të vizitës, Kryetari i Kuvendit zhvilloi një bashkëbisedim me ekspertë të sigurisë në Universitetin “George Washington”, me të cilët ndau mendime mbi situatën e sigurisë në rajon, krizën e refugjatëve, rrezikun që vjen nga terrorizmi dhe krimi i organizuar trans-nacional, sfidat e reja në fushën e sigurisë kibernetike dhe kërcënimet që vijnë nga mungesa e stabilitetit në rajone të ndryshme të botës, veçanërisht kriza në Lindjen e Mesme, Pellgun e Mesdheut dhe në kufijtë lindorë të Evropës.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi