-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës Didier Reynders-
TIRANË,17 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës Didier Reynders me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe ndanë bindjen për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Belgjikës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe veçanërisht për miratimin e statusit të vendit kandidat për në BE, si dhe theksoi se "Kuvendi mbështet axhendën e reformave kyçe që kërkon integrimi i vendit duke vënë në dukje rëndësinë e veçantë të avancimit me reformën në drejtësi".
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës Didier Reynders shprehu gatishmërinë e Belgjikës për të mbështetur përshpejtimin e axhendës evropiane të Shqipërisë duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së prioriteteve të Bashkimit Evropian.
Në përfundim, duke vlerësuar rolin konstruktiv që Shqipëria luan në rajon, Meta dhe Reynders biseduan gjithashtu mbi zhvillimet rajonale duke ndarë bindjen se rritja e cilësisë së bashkëpunimit rajonal i shërben perspektivës evropiane dhe zhvillimit ekonomik të të gjitha vendeve./i.v/f.n/








