TIRANË - Kreu i Kuvendit njëkohësish edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka kërkuar rivlerësim të historisë së Shqipërisë, sidomos të periudhës së luftës antifashiste. Deklarata është bërë gjatë një aktiviteti ku janë kujtuar 84 martirët e masakrës së 4 Shkurtit të vitit 1944. Takimi është zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar dhe pjesëmarrës ishin veteranë dhe familjarë të tyre.
 
“Sot kujtojmë 84 martirët e atij mëngjesi të përgjakshëm dhe njëkohësisht të atyre që u internuan. Jemi sot këtu për të dhënë mesazhet e duhura pas 70 vitesh që janë sa një jetë. Na japin mundësinë për të reflektuar dhe për të bërë një homazh edhe për martirët dhe luftën tonë të lavdishme antifashiste”, deklaroi kreu i LSI-së, gjatë fjalës së tij.
 
Sipas Metës, “sot ka vende të zhvilluara që nuk shkrepën një armë ndaj pushtuesve dhe përpiqen të shtojnë numrin e viktimave. Vendi ynë u rrethua kundër makinerisë më të madhe të përbindshme ushtarake, në një moment kur nuk dihej se si do të shkonte lufta”.
 
META: HEQJA E EMRIT TE RRUGES AKT I PAFALSHEM
“Ne sot shprehim keqardhjen për akte të pafalshme që kanë ndodhur, si heqja e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe është momenti për të bërë një rivlerësim. Do të kërkojmë ngritjen e një memoriali ku të jenë të gdhendur emrat e 84 emrave të martirëve” tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
 
“Ndaj dhe shpreh kënaqësinë që sot ndodhet këtu edhe prefekti Sadi Vorpsi dhe kreu i këshillit bashkiak Aldrin Dalipi dhe shpresojmë që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje, të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve të 4 shkurtit”, tha Meta.

Gjithashtu Meta ka kërkuar edhe rikthimin e monumentit të “5 heronjtë e Vigut”, në vendin ku e meriton. “Të rivlerësojmë monumentin e “5 herojve të Vigut”, që në mënyrën më cinike u largua nga qendra e qytetit të Shkodrës, një qytet me tradita të mëdha patriotike. Ka ardhur koha për rivlerësimin e shumë figurave të luftës çlirimtare”, theksoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
 
Për kryetarin e Kuvendit, “masakra e 4 shkurtit ndodhi në kulmin e operacionit “Dimri” dhe ishte një hakmarrje ndaj dështimit pasi forcat antifashiste kishin baza të shumta në qytete dhe kjo ishte edhe në Tiranë.  Partizanët ishin gati të jepnin jetën e të mos i dorëzoheshin pushtuesit, siç janë dëshmorët, Qemal Stafa, Vojo Kushi etj. Masakra e 4 shkurtit shtoi përkrahjen për luftën antifashiste dhe siç dihet në nëntor të 1944 i gjithë populli i Tiranës mori pjesë në betejën për të çliruar Tiranë”.
 
RIVLERESIM TE HISTORISE, PERKUJTIM MARTIREVE
“Ne sot jemi këtu për të dhënë mesazhin e qartë për rivlerësimin e historisë dhe për ato që janë bërë gjatë këtyre viteve. Është një përpjekje për të cenuar një nga faqet më të ndritura të vendit tonë dhe të betejave më të lavdishme. Është e rëndësishme që pas 70 vitesh ti kujtojmë dhe ti mbajmë vendet e kësaj lufte. Duhet ti kujtojmë të gjithë martirët, jo vetëm ato të 4 shkurtit, por të gjithë”, deklaroi Meta.  
 
“Pa luftën antifashiste pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti i saj do të kishte qenë në pikëpyetje shumë të madhe e kjo është një arsye më shumë për të bërë homazhe para atyre që luftuan për Shqipërinë.
 
E ardhmja nuk mund të jetë më e mirë pa pasur në mendjen tonë, zemrën tonë ata që dhanë jetën për këtë të ardhme. I paharruar kujtimi i martirëve të 4 shkurtit”, përfundoi fjalën e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta.

PASKAL MILO: ENVERIT T’I JEPET AJO QË I TAKON
Nëse nuk do të ishin dëshmorët e 4 Shkurtit, do të ishin vënë në jetë planet e copëtimit të Shqipërisë dhe sot nuk do të kishim Jugun e Shqipërisë.  Kështu është shprehur politikani dhe historiani Paskal Milo në aktivitetin e mbajtur sot në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 4 Shkurtit, ditës së dëshmorëve së LANÇ. 
 
Prandaj, sipas Milos, vlera e kësaj lufte është e pazëvendësueshme se ka mbrojtur integritetin e Pavarësinë e Shqipërisë. “Nuk e mbrojmë thjesht si mund të na akuzojnë nesër, se po mbrojmë Enverin. Edhe Enverit do t’i jepet ajo që është për t’i dhënë, për ato që ka bërë e do të dënohet për çfarë ka bërë më vonë, e populli ia ka dhënë dënimin”, tha mes të tjerave Paskal Milo.

Ai foli edhe për dhënien e emrit rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
 
Sipas tij, ky emër duhet të respektohet. Madje, “ka rrugë qendrore të tjera Tirana që të meritojnë emrin e 4 Shkurtit”. Ashtu si dhe Ilir Meta, ai foli për ngritjen e një monumenti që do të mund të përkujtojë 84 dëshmorët e LANÇ.
 
“Edhe një obelisk, simbol tjetër i gjallë dhe i prekshëm për dëshmorët e 4 Shkurtit. Ishin 84 njerëz që ishin martirë, dëshmorë, jo viktima. Të gjithë bashkë si ekip që duam të mbrojmë historinë tonë kombëtare, të qëndrojmë kështu për tërë vitin, të mbrojmë një thesar të madh të traditës sonë kombëtare, që për jetë të jetëve do të mbetet i tillë”, përfundoi Milo.

Redaksia online
(ac/bg/shqiptarja.com)