“Sa i takon kësaj, kjo nuk duhet keqkuptuar sipas mendimit tim. Nuk mund ta heq portretin e Presidentit nga zyra e kryetarit të Kuvendit, sepse nuk e kam gjetur portretin e tij në këtë zyrë, por do ta vëmë javës tjetër foton e tij në zyrën e Kuvendit, në respekt të asaj që përfaqëson Kuvendi dhe të asaj që përfaqëson Presidenti në Kushtetutë, ashtu sikurse do të vëmë kudo portretin e themeluesit të shtetit tonë, Ismail Qemali”- tha Ilir Meta si reagim pas vendimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama për heqjen e fotos së Presidentit Nishani nga godinat e Institucioneve dhe zëvendësimin e saj me foton e Ismail Qemalit.
Deklarata e Metës u bë në përgjigje të interesit të gazetarëve pas takimit që kryetari i parlamentit zhvilloi me ambasadorin e Italisë, Massimo Gaiani që u zhvillua sot në mesditë në kryesinë e Kuvendit. Takimi me ambasadorin e Italisë u zhvillua për të çuar përpara bashkëpunimin me Italinë.
Meta tha se Italia është partneri ynë për në BE, dhe bashkëpunimi me senatin italian është i ngushtë. Nga ana e tij Gaiani shprehu garancinë se Italia do të ndihmojë Shqipërinë për integrimin në BE dhe siguroi mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe Kuvendit.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)