Nga selia LSI-së Meta iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me një reagim ndaj deklaratave të Nasip Naços dhe komenteve ndaj deklaratave të një aleati tjetër të koalicionit të majtë, z. Gjinushi i cili tha se më mirë të jetë Kryeministër Sali Berisha se sa Ilir Meta.
"Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Ndërsa për çështjen në fjalë, mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do të propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi presidencën e mori karrigen e presidentit me vete. Gjinushi do të ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje, ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër. "- tha Meta në një prononcim për median pas një takimi që pati me shefen e misionit te ODHIR-it për zgjedhjet Conny McCormack.
SONDAZHET PËR LSI, JO TË VËRTETA
"Nuk ka sondazh që e kap LSI. Ju në 8 maj e nxorët 3%, por ne kapëm 23 mijë vota vetëm në TR. Ata që bëjnë sondazhe do kërkojn ë falje në 23 qershor dhe janë të falur se nuk mendoj se kanë qëllime të caktuara. Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI. Ju e shihin vetë, pasqyroni aktivitet tona, rininë që ka LSI nuk e gjen askund tjetër", theksoi Meta.
TE VOTOJME 3 LIGJET
Meta përforcoi qëndrimin për thirrjen e një seance para zgjedhjeve, për te miratuar 3 ligjet e integrimit.
"Unë kërkoj që tani që të zyrtarizohet procedura për çështjen e tre ligjeve dhe natyrisht që kjo në radhë të parë është në dorë të mazhorancës, e cila drejton edhe Parlamentin. Do të ishte edhe një tregues i përgjegjshmërisë së mazhorancës për fatet e vendit. Por në fund të fundit do të ishte edhe një kontribut që ata do të jepnin në procesin e integrimit evropian sepse në rast se nuk do të japin këtë kontribut tani dhe në rast se ligjet miratohen në shtator me 84 vota pa kontributin e tyre, nuk do të ishte pozitive dhe diçka serioze. Prandaj, unë dua të besoj në angazhimin e Partisë Demokratike për të ndihmuar procesin e integrimit evropian. Nuk është koha tani për kritika dhe autokritika për këtë çështje. Shqiptarët kanë nevojë për një mesazh konstruktiv, për një mesazh përgjegjshmëri nga klasa politike. Ne kemi një shprehje të veçantë ku themi se, fundi mbahet mend. Dhe fundi i këtij Parlamenti do të ishte pozitiv duke bërë një akt të tillë dhe njëkohësisht do të ishte një akt shumë i mirëpritur nga partnerët tanë ndërkombëtarë. "- tha Meta.
DEKLARATA A NAÇOS DHE E BERISHES
Deklarata e njërit prej drejtuesve të LSI, Nasip Naço në Berat, 19 maj, se Ilir Meta pas 23 qershorit do të jetë kryeministër i vendit ka sjellë një debat të fortë në politikën shqiptare. Një ditë më pas, kryeministri Berisha, i pyetur nëse do të bënte një koalicion me Metën pas zgjedhjeve të 23 qershorit, nëse këtë do ta impononin numrat, ai këmbënguli duke thënë se synimi i kreu të LSI-së është të bëhet kryeministër, por këtë nuk e arrin dot.
“Ambicia e tij është kreu i Partisë Socialiste por ajo nuk më intereson. Ambicia e tij është se si të rregullojë numrat për t’u bërë kryeministër, aty e ka të pamundur”, tha Berisha. Në reagimet e tyre krerët e dy partive të majta, Edi Rama e Ilir Meta e kanë cilësuar diversion të Berishës dhe një ëndërr të tij për të parë të majtën të përçarë, pasi për Kryeministrin vendos Kushtetuta.
TAKIMI ME Mc CORMACK
Meta tha se me shefen e misionit të ODIHR-it, znj. Conny McCormack shkëmbyen mendimet lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit duke shprehur angazhimin e LSI-së që Shqipëria të ketë standardet më të larta në këto zgjedhje pasi ato janë tepër të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit, por edhe për integrimin e vendit dhe janë shqetësimet kryesore të gjithë qytetarëve tanë.
"Kuptohet që suksesi këtyre zgjedhjeve është një mundësie e shkëlqyer për të ridimensionuar jo vetëm pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë në raport me BE-në dhe për të lehtësuar marrjen e statusit të vendit kandidat, por mbi të gjitha për të nxitur investime të rëndësishme në vendin tonë për të ardhmen dhe një klimë besim tek siguria, tek stabiliteti dhe tek rendi juridik i këtij vendit. Ndaj janë kaq të rëndësishme standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit. "- tha Meta.
Redaksia Online
(mag/s.g/shqiptarja.com)