Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka kërkuar intensifikimin e shkëmbimeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Algjerisë si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Në këtë drejtim, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe avancimi me plotësimin e kuadrit ligjor, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve.
 
Kjo është bërë e ditur pas një takimi që Meta ka pasur me Kryetarin e Asamblesë Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë Mohamed Larbi Ould Khelifa.

Meta ka falënderuar Ould Khelifa për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut dhe shprehu vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet me Algjerinë, jo vetëm në planin mesdhetar por edhe në drejtim të shkëmbimeve dypalëshe.

Kryetari i Asamblesë Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë Mohamed Larbi Ould Khelifa shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në punimet jubilare të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj asambleje si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi për adresimin e sfidave me të cilat përballen vendet mesdhetare, veçanërisht në drejtim të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit.

Dy kryeparlamentarët ranë dakord për krijimin e grupeve respektive parlamentare të miqësisë dhe për nxitjen e qeverive respektive në intensifikimin e përpjekjeve të tyre në interes të shtimit të kontakteve dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Prononcimi i Kryetarit të Kuvendit  Mohamed Larbi Ould Khelifa
Prononcimi i Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)