TIRANË –  Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka paralajmëruar se Shqipëria është pranë recesionit, pranë fillimit të rënies ekonomike. Në tremujorin e parë të këtij viti rritja e ekonomisë ka qënë vetëm 0.5% që tregon një situatë kritike, e cila nuk do lejuar të përparojë.

Këtë deklaratë Meta e ka bërë gjatë një bashkëbisedimit me studentë, kryesisht të diplomuar jashtë shtetit dhe i shoqëruar nga nënkryetarja e LSI-së, Klajda Gjosha.
“Ne jemi një vend, i cili ndodhet në një situatë ekonomike kritike. Mund të përmend edhe fjalën krizë, mund të përmend edhe ndonjë fjalë akoma edhe më të fortë sepse në fund të fundit ka shtresa të caktuara të shoqërisë që janë në një gjendje tragjike. Them kritike sepse edhe raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim bën të qartë se për tremujorin e parë të këtij viti rritja ekonomike e Shqipërisë ishte vetëm 0.5%. Pra është shumë pranë recesionit, pranë fillimit të rënies ekonomike, gjë që nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Sigurisht që po të vazhdohet me këto politika populiste dhe jo realiste kjo situatë do të përkeqësohet dhe trendi do të jetë gjithnjë e më negativ”, - theksoi Meta.

Zgjidhjen e kësaj situate, kreu i LSI-së e shihte tek  “një ekonomi, e cila jo vetëm prodhon, por njëkohësisht edhe që eksporton, sepse defiçiti tregtar sot është mos gaboj të paktën 2 miliardë euro dhe ka tendencë për t’u rritur gjithnjë e më shumë. Ndërkohë që remitancat e emigrantëve tanë janë në rënie drastike dhe kjo krijon një problem të madh, një disbalancim serioz i cili mund të tejkalohet vetëm përmes një ekonomie që prodhon, duke ulur importet dhe duke rritur eksportet.

Thelbi kryesor i gjithë situatës ekonomike, në të cilën ndodhet sot vendi, është çfarë do të prodhojë Shqipëria, cilat janë mundësitë për të ulur importet përmes rritjes së prodhimit vendas dhe çfarë do të eksportojë Shqipëria, në mënyrë që të kemi një ekonomi që rritet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme, që konkurron dhe që fiton nga proceset integruese dhe jo që shkon drejt falimentimit. Në këtë plan duhet parë edhe politika e taksave”, - nënvizoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)