TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta konfirmoi sot vullnetin e plotë të Shqipërisë dhe vendosmërinë e institucioneve shqiptare në mbështetje të aspiratës euro-atlantike të Kosovës.
Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se kryeparlamentari Meta priti sot një delegacion nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kryesuar nga Kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj. Në takim ishte i pranishëm dhe Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Spartak Braho.
Kryetari i Kuvendit, Meta theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve mes dy institucioneve.
Ndërsa Haradinaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet shqiptare i kanë dhënë Kosovës dhe gjithashtu shprehu dëshirën për intensifikimin e shkëmbimeve mes dy komisioneve reciproke parlamentare të sigurisë./ATSH/