Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, organizoi sot një pritje në Pallatin e Brigadave me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po zhvillon punimet 3-ditore në Tiranë.
 
Në fjalën hapëse të mbrëmjes, kreu i Kuvendit tha se prania e një numri kaq të madh delegatësh është dëshmi e rëndësisë që vendi ynë i kushton dimensionit parlamentar të NATO-s. “Secili nga vendet tona sjell në këtë Aleancë karakteristika specifike, si një pasqyrim i diversitetit tonë individual politik, kulturor dhe shoqëror. Kjo është një vlerë e shtuar për NATO-n, që e bën atë më të fortë. Për këtë qëllim, ne të gjithë jemi të bashkuar fort nga vlerat tona të përbashkëta të demokracisë dhe vullneti për të mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët” - tha Meta.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit u shpreh se mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shqipëri ka një simbolikë të veçantë, sepse nga të gjitha vendet ish-komuniste Shqipëria ishte vendi më i izoluar dhe më armiqësor ndaj aleancës perëndimore të demokracive. “26 vite më parë kjo pritje në Shqipëri  do të ishte përtej imagjinatës. Ne ishim si armiqtë e pamëshirshëm për njëri-tjetrin, por për fat të mirë historia ka ndryshuar, dhe ka ndryshuar për mirë. Sot ju ndodheni këtu si partnerët tanë dhe si mysafirë për të diskutuar rreth sfidave strategjike dhe gjithashtu për të përjetuar mikpritjen e mrekullueshme shqiptare, historinë dhe kulturën”, - theksoi Meta, teksa shtoi se sfidat e shumta me të cilat përballet sot Aleanca, të kujtojnë rëndësinë e madhe që hapësira kolektive e vlerave të përbashkëta nuk është vetëm për ne, por dhe për ato vende që janë përtej kufijve të NATO-s.

“Shqipëria është një vend i vogël, por një aleat dhe ithtar i madh i NATO-s dhe misionit të saj. Ne krenohemi me faktin që shqiptarët janë një kulturë dhe një popull i lashtë, që ka ditur gjithmonë si të jetojë në paqe, krah për krah me fqinjët tanë” - tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Për kreun e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, Shqipëria ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqen në botë. Ai theksoi se shqiptarët kanë qenë një popull i privuar nga liria, por sot janë pjesë e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake të globit. Turner fillimisht falënderoi Kuvendin e Shqipërisë dhe veçanërisht Kryetarin Ilir Meta për mikpritjen dhe u shpreh se ndihet me fat që parlamentarët shqiptarë kanë qenë kaq aktivë në NATO. 
Shqipëria ka pritur shumë takime të Asamblesë ndër vite, si vend partner dhe më pas si vend anëtar. Jemi me fat që parlamentarët shqiptarë kanë qenë kaq aktivë në organizatën tonë. Ky është Sesioni i parë që Asambleja zhvillon në Shqipëri dhe është kënaqësi e madhe që ndodhem këtu, në Tiranë, për këtë ngjarje shumë të rëndësishme. Ne që jemi rritur gjatë Luftës së Ftohtë e kuptojmë domethënien e thellë të këtij takimi parlamentar në Tiranë”, - tha Turner.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksoi se dikur Shqipëria ishte një vend hermetikisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës, ndërsa sot është një vend i transformuar dhe se populli shqiptar ka përqafuar më së miri vlerat mbi të cilat është themeluar kjo Aleancë. 
“Shqipëria ishte pothuajse hermetikisht e mbyllur nga pjesa tjetër e botës. Nuk është e tepërt të them se shqiptarët ishin të burgosur, të privuar nga liria e tyre, si fizike, ashtu dhe intelektuale. Sot, vendi është i transformuar. Populli shqiptar ka përqafuar vlerat mbi të cilat është themeluar Aleanca jonë: demokracia, liria individuale dhe shteti i së drejtës. Janë pikërisht këto vlera që i japin Aleancës tonë forcën, solidaritetin dhe kuptimin e qëllimit të saj. Ato na bashkojnë si një bashkësi kombesh. Dhe akoma më shumë: ato na lidhin së bashku në miqësi”, - shtoi Turner, ndërsa e cilësoi Shqipërinë si një testament i vërtetë i vlerës së zgjerimit të NATO-s dhe vlerësoi kontributin që jep për paqen dhe stabilitetin.

Shtatë vjet më parë, Shqipëria, së bashku me Kroacinë, u bë anëtare e plotë e Aleancës tonë. Që atëhere, shpesh u jemi referuar si anëtaret më të reja të Aleancës. Së shpejti ky përshkrim nuk do të përdoret më, sepse Mali i Zi do të bëhet anëtari më i ri i Aleancës, pasi parlamentet tona të kenë përfunduar procesin e ratifikimit. Shqipëria është një testament i vërtetë i vlerës së zgjerimit të NATO-s. Shqipëria kontribuon në operacionet e NATO-s, si Mbështetja e Vendosur në Afganistan dhe KFOR-i në Kosovë. Zgjerimi i NATO-s krijon një zonë më të gjerë paqeje dhe stabiliteti, që nuk kërcënon askënd”, - deklaroi Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner.

Është hera e parë që Shqipëria merr përsipër organizimin asamblesë së NATO-s. Në pritjen e dhënë me këtë rast në Pallatin e Brigadave merrnin pjesë përfaqësues të NATO-s e politikanë shqiptarë.

meta
 FOTO

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com