Kësisoj, sipas Metës, vendi nuk do të humbasë më kohë për të marrë statusin kandidat pasi: Kuvendi i ri do të të nisë punën mbi bazën e një rregulloreje të standarteve ndërkombëtare; administrata do të garantohet se ndaj saj nuk do të ketë hakmarrje politike dhe mbi të gjitha, për projektligjin e Gjykatës së Lartë" ne propozojmë që miratimi i këtij projektligji të shoqërohet me garancinë që ky projektligj të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti, në kohën kur konstituohet kuvendi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit", - theksoi Meta.
DEKLARATA E PLOTE E KRYETARIT TE LSI, ILIR METES
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj të ftoj sot kryetarin e PD-së, z. Berisha dhe kryetarin e PS-së, z. Rama, por edhe të gjithë kolegët e tjerë, përfaqësues të forcave politike në kuvendin aktual, që në seancën më të parë të miratojmë rregulloren e parlamentit dhe dy projektligjet e tjera, të cilat janë konsideruar prej kohësh si një minimum i domosdoshëm për arritjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria", - deklaroi Meta.
Lidhur me miratimin e rregullores së Parlamentit vlerësojmë se miratimi i këtij dokumenti me konsensusin e të gjitha partive parlamentare do të bëjë të mundur që të ftojmë parlamentin e ri të pas zgjedhjeve të 23 qershorit që të fillojë punën me një rregullore të re sipas standardeve më të mira të parlamenteve të demokracive më të zhvilluara evropiane.
Njëkohësisht lidhur me miratimin e projektligjit për statusin e nëpunësit civil, vlerësojmë se zbatimi i këtij ligji në mënyrë të natyrshme do të ketë nevojë për një periudhe tranzitore për të rritur garancitë e zbatimit të tij dhe për të garantuar edhe shërbyesit civilë aktual se ligji i ri nuk do të shërbejë si një mjet hakmarrjeje politike. Përkundrazi ligji aktual lejon shtigjet për hakmarrje politike dhe për këtë dëshmitë janë të shumta.
Ndërkohë, lidhur me projektligjin tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili ka të bëjë me disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe për të cilin kërkohet një shumicë e cilësuar sipas nenit 81 të Kushtetutës dua të theksoj se ndryshimet të cilat propozohen kërkojnë të përshtatin Gjykatën e Lartë me kërkesat e ligjit të miratuar për Gjykatën Administrative.
Krijimi i Kolegjit Administrativ natyrshëm të çon në rritjen e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, prandaj është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga disa emërime të nxituara të bëra në disa nga gjykatat më të larta kohët e fundit, të cilat duken më shumë si veprime me karakter partiak se sa si lëvizje që synojnë të forcojnë pavarësinë e drejtësisë dhe të gjyqësorit, ne propozojmë që efektet e zbatimit të këtij ligji t’i tejkalojnë interesat politike të ditës nisur nga fakti që vendi ka nevojë për Gjykatën Administrative, por njëkohësisht lidhur edhe nga domosdoshmëria që kjo gjykatë të jetë krejtësisht e pavarur. Pra ne propozojmë që miratimi i këtij projektligji të shoqërohet me garancinë që ky projektligj të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti, në kohën kur konstituohet kuvendi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.