TIRANË - "Mazhoranca e re në Shqipëri është e vendosur që të ecë përpara në rrugën e integrimit në BE", tha kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë takimit me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico.
 
Kreu i Kuvendit, ka pritur mbrëmjen e sotme kryeministrin Fico, me të cilin është biseduar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Në këtë takim, Fico shoqërohej nga zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane, Miroslav Lajcak.
 
“Shqipëria është një vend evropian, dhe mazhoranca e re është e vendosur të avancojë me reformat e rëndësishme që kërkojnë qytetarët tanë për forcimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë” – u shpreh z. Meta.
 
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i shprehu kryeministrit Sllovak, Robert Fico mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovakia ka dhënë për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria mbështetet në përkrahjen e Sllovakisë edhe në të ardhmen.
 
Kryeministri Robert Fico shprehu kënaqësinë për vizitën e parë të një Kryeministri Sllovak në Tiranë dhe nënvizoi se Sllovakia, si një vend i ri anëtar dhe si histori suksesi e Bashkimit Evropian, është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në kuadër të integrimit evropian dhe të thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri.
 
Kryetari i Kuvendit Meta shprehu vullnetin për të zgjeruar më tej marrëdhëniet me Parlamentin e Sllovakisë, në interes të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Robert Fico meta
(Në foto: Kryetari i parlamentit Ilier Meta me Kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico)
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)