TIRANË - Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u takua sot me Presidentin Bujar Nishani në presidencë. Pas takimit, Meta tha: “Ishte kënaqësi të takohesha me Nishanin, për të ndarë së bashku vlerësimet tona për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mënyrë që t’i shërbejmë të gjithë asaj përgjegjësie të përbashkët, që kërkohet për të forcuar institucionet dhe sundimin e ligjit në vend dhe për të nxitur funksionimin sa më efikas të institucioneve të pavarura dhe për të bashkërenduar të gjithë së bashku në funksion të reformave për të marrë statusin brenda këtij viti”, ka qenë fjala e Metës pas takimit.

Ndërsa nga zyra e shtypiut të Presidencës bëhet e ditur se "Presidenti Nishani e ka uruar Metën për fitoren e koalicionit në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe shprehu nevojën për arritje në zbatimin praktik të programit politik, në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe të procesit të integrimit evropian të vendit".

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të demokracisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Ky takim vjen pas takimit të djeshëm të aleatit të Metës në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Edi Ramës, po me Presidentin e vendit, Bujar Nishani, takim i kërkuar prej Ramës, e që zgjati vetëm pak minuta. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)