Meta takon kryebashkiakun e Selanikut: Të nxisim bashkëpunimin dypalësh

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë një takimi të martën me kryetarin e Bashkisë së Selanikut, Yiannis Boutaris, vlerësoi rolin e tij pozitiv në menaxhimin e qytetit fqinj bregdetar, si dhe mbështetjen e pakursyer ndaj komunitetit domethënës shqiptar në Selanik dhe rrethinat e tij.

Kryetari Meta u shpreh se komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri përfaqësojnë një urë solide të miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit të fortë mes dy vendeve fqinje. Ai e përgëzoi kryebashkiakun Boutaris për marrëveshjen e binjakëzimit mes Selanikut dhe Durrësit, duke vënë në dukje se këto dy qytete të rëndësishme janë porta hyrëse e investimeve të huaja në të gjithë rajonin e Ballkanit. Në këtë kuadër, theksoi Meta, bashkëpunimi mes dy vendeve dhe veçanërisht ai ndërkufitar duhet forcuar më tej.

Kryetari i Bashkisë së Selanikut nënvizoi se Greqia, dhe në veçanti Selaniku e vlerëson praninë dhe kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në Greqi, komunitet për të cilin duhet bërë më shumë në të ardhmen. Boutaris theksoi se bashkëpunimi, dashuria dhe miqësia mes popujve fillon së pari nga kontaktet mes qyteteve dhe në këtë kuadër duhen shtuar lidhjet mes komuniteteve të biznesit si dhe të intensifikohen shkëmbimet kulturore.

Në përfundim të takimit, dy zyrtarët ndanë bindjen se duhen shtuar përpjekjet për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në shërbim të afrimit të mëtejshëm të lidhjeve mes dy popujve fqinj./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale