Meta takon ministrin Hoxhaj: Së
bashku në rrugëtimin euro-atlantik

Meta takon ministrin Hoxhaj: Së<br />bashku në rrugëtimin euro-atlantik
PRISHTINE - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta është takuar me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj ku premtoi se do të ketë një koordinim edhe më të madh ndërmjet parlamenteve dhe deputetëve të dy vendeve.

Në fjalën e tij Meta, vlerësoi lart arritjet e Kosovës dhe shprehu përkrahjen e gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën. 

“Vlerësojmë arritjet dhe përfaqësimin e Kosovës në planin ndërkombëtar. Mbështetja e Shqipërisë në axhendën ndërkombëtare do të jetë e pakursyer. Kosova do të përfshihet në gjithë takimet tona. Diplomacia parlamentare do të punojë për një prezencë më të madhe të Kosovës në nismat rajonale dhe në forumet ndërkombëtare. Shqipëria është pranë jush në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës”, u shpreh Meta.

Nga ana e tij ministri Hoxhaj pasi e njohu kryeparlamentarin Meta me progresin në Kosovë, duke theksuar edhe fokusimin e diplomacisë kosovare në axhendën multilaterale.

“Dua të shpreh mirënjohjen tonë për rolin e Shqipërisë në rritjen e numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës. Vlerësojmë kontributin tuaj në vite për Kosovën dhe rajonin. Kosova mbështetet në peshën e diplomacisë parlamentare të Shqipërisë dhe në influencën që ajo ushtron ndërkombëtarisht”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Gjatë takimit, Meta dhe Hoxhaj diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon dhe për ecurinë e perspektivës evropiane të Kosovës ku Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se “liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të vonohet dhe perspektiva e saj evropiane duhet të jetë gjithnjë e më e qartë."

“Në këtë drejtim, ne e mbështesim dialogun Kosovë-Serbi për të mirën e të dy vendeve dhe të gjithë rajonit. Të ecim përpara me projekte konkrete ekonomike dhe infrastrukturore të përbashkëta dhe ta kthejmë rajonin në një terren tërheqës për investitorët e huaj. Politikat tona duhet të jenë në funksion të zgjidhjeve konkrete për qytetarët dhe në të mirë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Meta.

META TAKON PERFAQESUES TE KOMUNITETIT TE PAKICAVE

Gjatë vizitës së tij në Kosovë Ilir Meta u takua edhe me përfaqësues të komunitetit të pakicave në Kuvendin e Kosovës. Pasi foli për rëndësinë e integrimit të komuniteteve në institucionet e Republikës së Kosovës, Meta vlerësoi se integrimi i tyre i shpejtë do të ndikojë në të mirë të gjithë rajonit.

Sa i përket dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Meta u shpreh se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, ndikon në të mirë jo vetëm të komuniteteve, por edhe në perspektivën evropiane të tërë rajonit.

“Shqipëria e mbështet integrimin e pakicave në Kosovë. Integrimi juaj është vital për të ardhmen e Kosovës. Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe vlerësojmë se ky dialog ju ndihmon ju dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Ne jemi për dialog dhe bashkëjetesë etnike”, tha Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

meta dhe pakicat
(Në foto kryeparlamentari Meta gjatë takimit me liderin e SLS-së Sllobodan Petroviç)

Ndërkaq, zëvendës kryeministri i Kosovës dhe lideri i SLS-së, Sllobodan Petroviç, e njohu atë me arritjet dhe sfidat e komuniteteve në Kosovë. Petroviç u shpreh në mbështetje të procesit të negociatave që po zhvillohen në Bruksel mes Kosovës e Serbisë duke vlerësuar se dialogu do të ndikojë në integrimin e plotë dhe të shpejtë të komuniteteve pakicë, në të gjitha institucionet e Kosovës.

“E vlerësojmë bashkëpunimin dhe kujdesin tuaj në vite. U jemi mirënjohës për ndihmën tuaj ndaj komunitetit serb në Kosovë. Roli i Shqipërisë në forcimin e bashkëjetesës është i rëndësishëm”, tha Petroviç. 

META TAKIM ME LIDERET E PARTIVE KRYESORE TE KOSOVES

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit më të lartë të partive politike të Kosovës dhe drejtues të pushtetit vendor. Meta u prit në takime nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Gjatë këtyre takimeve, Meta shprehu mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e demokracisë dhe institucioneve në Kosovë dhe në këtë kontekst funksionimi demokratik e qytetar i partive politike është vital.

Meta Ahmeti
(Në foto Kreu i Kuvendit Ilir Meta gjatë takimit me Kryetain e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti)

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë theksoi se “spektri politik i Kosovës duhet ta forcojë kontributin e tij në funksion të zgjidhjeve pozitive, bashkëjetesës dhe tolerancës dhe të angazhohet në iniciativa që nuk prodhojnë konflikte, por që frymëzojnë bashkëpunim dhe dialog.” 


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit