TIRANE- Në 70-vjetorin e masakrës së 4 shkurtit, krreu i Kuvendit Ilir Meta deklaron se është koha për të rivlerësuar shumë figura, monumente e ngjarje që kanë të bëjnë me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Deklarata është bërë gjatë një aktiviteti ku janë kujtuar 84 martirët e masakrës së 4 Shkurtit të vitit 1944, ku në takimin e zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar kanë marrë pjesë dhe veteranë e familjarë të tyre. “Sot kujtojmë 84 martirët e atij mëngjesi të përgjakshëm dhe njëkohësisht të atyre që u internuan. Jemi sot këtu për të dhënë mesazhet e duhura pas 70 vitesh që janë sa një jetë. Na japin mundësinë për të reflektuar dhe për të bërë një homazh edhe për martirët dhe luftën tonë të lavdishme antifashiste”, deklaroi kreu i LSI.

Sipas Metës sot ka vende të zhvilluara që nuk shkrepën një armë ndaj pushtuesve dhe përpiqen të shtojnë numrin e viktimave, ndërkohë që Shqipëria u rreshtua kundër makinerisë më të madhe të përbindshme ushtarake, në një moment kur s’dihej se si do shkonte lufta. “Ne shprehim keqardhjen për akte të pafalshme që kanë ndodhur si heqja e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe është momenti për të bërë një rivlerësim. Do kërkojmë ngritjen e një memoriali ku të jenë të gdhendur emrat e 84 emrave të martirëve” tha kreu i Kuvendit. Që ka vlerësuar dhe praninë e prefektit dhe të kreut të këshillit bashkiak në këtë aktivitet.

“Shpreh kënaqësinë që ndodhet këtu dhe prefekti Sadi Vorpsi dhe kreu i këshillit bashkiak Aldrin Dalipi dhe shpresojmë që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje, të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve të 4 shkurtit”, tha Meta. Për kreun e Kuvendit, masakra e 4 shkurtit ndodhi në kulmin e operacionit “Dimri” dhe ishte një hakmarrje ndaj dështimit pasi forcat antifashiste kishin baza të shumta në qytete dhe kjo ishte edhe në Tiranë. “Partizanët ishin gati të jepnin jetën e të mos i dorëzoheshin pushtuesit, si dëshmorët Qemal Stafa, Vojo Kushi etj.

Masakra shtoi përkrahjen për luftën antifashiste dhe siç dihet në nëntor të 1944 i gjithë populli i Tiranës mori pjesë në betejën për të çliruar Tiranë”, tha Meta. Duke nënvizuar se jemi këtu për të dhënë mesazhin e qartë për rivlerësimin e historisë dhe për ato që janë bërë gjatë këtyre viteve. “Është një përpjekje për të cënuar një nga faqet më të ndritura të vendit tonë dhe të betejave më të lavdishme. Duhet ti kujtojmë të gjithë martirët, jo vetëm ato të 4 shkurtit, por të gjithë”, tha Meta.

Njëherësh ai kërkoi dhe zgjidhjen e çështjes së monumentit të 5 heronjve të Vigut që janë larguar nga sheshi te vendqëndrimi i plehrave Shkodër. “Të rivlerësojmë monumentin e “5 herojve të Vigut”, që në mënyrën më cinike u largua nga qendra e qytetit të Shkodrës një qytet me tradita të mëdha patriotike. Ka ardhur koha për rivlerësimin e shumë figurave të luftës çlirimtare”, tha Meta teksa kërkoi rikthimin e monumentit në vendin që meriton.


Shkrimi u publikua sot (05.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)