Meta:Të votojmë 3 ligjet, Berisha:
Parlamentin e mbledh të hënën

Meta:Të votojmë 3 ligjet, Berisha:<br />Parlamentin e mbledh të hënën
TIRANE - Kreu i LSI-së Ilir Meta përsëriti sërish sot thirrjen ndaj kryeministrit Berisha për të votuar 3 ligjet me kushtin që të hyjnë në fuqi në shtator. Vetëm pak minuta nga kjo deklaratë vjen dhe përgjigja e kryeministrit Berisha nga qyteti i Kukësit. Berisha deklaron se do t'i  votojë të hënën.
 
Për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta situata politike sa i përket 3 ligjeve, tashmë është e qartë, për vetë faktin se kryesocialisti Rama ka shprehur vullnetin për t'i votuar ato sipas kompromisit,  për t'i miratuar tani dhe për t'i zbatuar në Kuvendin e pas 23 Qershorit por akuzoi Berishën se po bën lojë fjalësh me 3 ligjet.
Pak minuta më pas nga qyteti i Kukësit, ku Berisha ndodhej për të prezantuar kandidatët e PD-së për këtë qark, Berisha u përgjigj se do të mblidhte parlamentin të hënën për të votuar 3 ligjet, por pa përmendur fjalën kompromis. Madje, duke iu drejtuar kreut të PS-së të cilin e quajti "pazarxhi " e ftoi të votonte ligjin për aministinë fiskale.

META: BERISHA TE MOS BEJE LOJRA FJALESH
"Sot dua të falënderoj kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama për gatishmërinë e qartë dhe pa ekuivoke që ai demonstroi dje duke treguar vullnetin e plotë të forcës politike që përfaqëson për të miratuar tre ligjet, sipas kompromisit që ato të hyjnë në fuqi në shtator me Parlamentin e ri. Besoj se tani është koha e Kryeministrit aktual, z. Berisha për të treguar të njëjtën gatishmëri dhe qartësi pa ekuivoke, që ne në ditët që vijnë t’i votojmë këto tre ligje, t’i japim këtë mesazh të përgjegjshëm gjithë qytetarëve shqiptarë, por njëkohësisht edhe partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë, duke demonstruar pjekurinë e duhur politike dhe frymën e bashkëpunimit për të cilën kanë nevojë reformat e integrimit evropian dhe të gjithë modernizimit të shoqërisë dhe të shtetit tonë. "- tha Meta.

Duke iu përgjigjur akuzave të minsitres së Integrimit Majlinda Bregu e cila dje deklaroi se dyshja Rama-Meta është duke luajtur blofin me tre ligjet e integrimit Meta u përgjigj. 
"Ju patët fatin që t’i jepnin opinionit publik përgjigjen shumë të qartë dhe pa ekuivoke të z. Rama për znj. Bregu dhe për z. Kodra siç u shpreh ai, kështu që unë mendoj se gjërat janë të qarta. Opozita është e gatshme t’i votojë tre ligjet me kompromisin që ato të hyjnë në fuqi në shtator. Çfarë pazari ka këtu? Ky është një kompromis në të mirë të Shqipërisë, ky është një kompromis edhe në të mirë të Doktorit, po t’i referohemi faktit se ai shprehet i bindur në fitore. Atëherë i merr tre ligjet tani dhe i zbaton në shtator. Ne nuk e kuptojmë përse po vonohet për konkretizimin e këtij hapi madhor për perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë. Këtu kemi të bëjmë me një kompromis, këtu nuk kemi të bëjë me asnjë lloj pazari dhe as me lojë fjalësh. Lojërat e fjalëve vijnë nga ana tjetër, se mesa duket ata shpresojnë dhe dëshirojnë që ato tre ligje të mos votohen për të vazhduar atë retorikën boshe të akuzave për vonesën e këtij procesi dhe për t’ia faturuar opozitës. Ndërkohë që ata që do të fitojnë duke miratuar këto tre ligje janë të gjithë qytetarët shqiptarë, është kredibiliteti i Shqipërisë në raport më partnerët tanë evropianë dhe amerikane. "- tha Meta.

Lidhur me deklaratat në takimet elektorale të kryeministrit Berisha se ka pranuar kushtin që këto tre ligje të hyjnë në fuqi në muajin shtator se cila është arsyeja e mungesës së kompromisit dhe a ka komunikuar me Kryeministrin Meta u përgjigj:

"Në rast se opozita do të kishte parlamentin ajo do të kishte nisur menjëherë procedurën zyrtare për miratimin e këtyre tre akteve në parlament në reflektim edhe të kompromisit që paraqitet. Pra që ato të hyjnë në fuqi në shtator me parlamentin e ri, dhe unë shpresoj që mazhoranca e cila ka drejtimin e parlamentit të veprojë proceduralisht dhe të zyrtarizojë rrugën e miratimit të këtyre tre ligjeve. Deklaratat tona janë publike. "

BERISHA NGA KUKESI: TE HENEN MBLEDH PARLAMENTIN, RAMA TE VOTOJE AMNISTINE

Vetëm pak minuta nga kjo deklaratë vjen dhe përgjigja e kryeministrit Berisha nga qyteti i Kukësit. Berisha deklaron se do t'i  votojë të hënën.
"Pazarxhiu i 1 prillit deklaroi mbrëmë se unë pranoj paketën e Ilirit. 224 ditë që ai ka bllokuar për secilin prej jush pasaportën e dytë më prestigjioze pas NATO. Bllokoi qindra milionë euro për fermerët shqiptarë, për infrastrukturën e tyre. Ndaj ju sot këtu nga qyteti i Kukësit them se të hënën do mblidhet parlamenti për të votuar 3 ligjet. Por aty ne shkojmë ballë hapur sepse bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse në çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa t'i mjeran vjen në Parlament me çelsin në qafë. I bëj thirrje të votojë amnistinë fiskale nga viti 2011 gjer më sot për të gjthë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon. Ti që i jepje Koços 80 % të tenderave të Bashkisë, të gjithë reklamat e kryeqytetit, ti që i llogarisje bulevardin për sheshe ndërtimi refuzove e amnistinë fiskale, ndaj të votojmë sëbashku me ligjet amnistinë fiskale që nuk e votove dhe të marrësh në 23 qershor fundin që meriton”, është shprehur Berisha.

Dje, edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh i gatshëm për miratimin e ligjeve për statusin. “Qysh ditën e parë kur kryetari i LSI-së ka dalë me një paketë kompromisi për të miratuar të tre ligjet dhe vendosur që ato të hynë në fuqi me Parlamentin e ri, ne jemi shprehur dakord”, tha ai në një intervistë për Top Channel. Nga ana tjetër, nismëtari i këtij kompromisi, kreu i LSI-së Ilir Meta ka bërë të ditur sot në një konferencë për shtyp se, ““opozita është e gatshme t’i votojë tre ligjet me kompromisin që ato të hyjnë në fuqi në shtator.”

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN