TIRANE- Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e Lëvizjes Socialiste për Intregrim me Koordinatoren Rezidente të OKB në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta është ndalur tek bashkëpunimi me agjencitë e huaja në vend.

Meta ka theksuar se LSI ka qenë gjithnjë e hapur të bashkëpunojë ngushtë me strukturat e OKB dhe se Qeveria e re do t’a forcojë edhe më tej bashkëpunimin me të gjitha Agjensitë që asistojnë në Shqipëri.

“Ne kemi nevojë të fokusohemi më tepër në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve” – tha z. Meta duke nënvizuar se “OKB do të ketë të gjithë mbështetjen e mundshme për zbatimin e Programit të Bashkëpunimit 2012-2016”.

Përfaqësuesja e OKB në Shqipëri i shprehu kreut të LSI, urimet për rezultatin e LSI në zgjedhjet e 23 qershorit dhe ofroi një ekspoze të punës së 20 Agjensive të OKB që punojnë në Shqipëri.

Koordinatorja Touimi-Benjelloun theksoi se puna e OKB përqendrohet në adresimin e prioriteteve kombëtare dhe në asistencën që i ofrohet Qeverisë shqiptare përmes bashkëpunimit me aktorë qeveritarë dhe jo-qeveritarë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)